
Piktura shqiptare ka humbur një nga emrat e saj të rëndësishëm, pasi është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare artisti Skënder Kamberi.
I njohur si një prej figurave më përfaqësuese të artit figurativ shqiptar që nga vitet ’60, Kamberi i kushtoi gjithë jetën krijimtarisë artistike, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në pikturën kompozicionale dhe portretin.
Një pjesë e veprave të tij ruhen sot në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ndërsa shumë të tjera ndodhen në koleksione private brenda dhe jashtë vendit. Punimet e Kamberit janë ekspozuar në disa shtete, përfshirë Francën, Italinë, Greqinë, Turqinë, Anglinë dhe Egjiptin, duke e bërë emrin e tij të njohur edhe përtej kufijve.
Ndër krijimet e tij më të spikatura përmenden “Ndihma e shokut” (1966), “Betimi i Vrana Kontit” (1968), “Kthimi i nëndetseve”, “Buka e duarve tona” (1976), “Në Belvedere në Vjenë sikur pashë Skënderbenë” (1977), si dhe “Otranto, 1997”, së bashku me disa portrete të njohura të figurave historike dhe kulturore.
I lindur në Vlorë më 2 shkurt 1939, Kamberi u formua fillimisht në shkollën artistike dhe më pas përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1965. Pas diplomimit, ai u rikthye në qytetin e tij të lindjes, ku dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e artit pamor, së bashku me kolegë të tij të kohës.
