
Ish-finalistja e “Big Brother VIP Kosova”, Elijona, është rikthyer sërish aktive në rrjetet sociale pas rreth një muaji mungesë. Ajo ka ndarë me ndjekësit një postim emocional në Instagram, ku ka sqaruar arsyen e tërheqjes së saj nga jeta publike gjatë kësaj periudhe.
Elijona ka bërë të ditur se ka përjetuar një humbje të rëndë në familje, ndarjen nga jeta të xhaxhait të saj, një ngjarje që e ka prekur thellë dhe e ka detyruar të distancohet për pak kohë nga rrjetet sociale për t’u fokusuar tek familja dhe për të përballuar dhimbjen.
Në mesazhin e saj, ajo thekson se kjo pauzë ishte e nevojshme për t’u qetësuar dhe për të rikuperuar emocionalisht pas kësaj periudhe të vështirë.
“Këtë muaj e kam marrë për vete dhe për familjen time, për t’u qetësuar pak, për të shëruar zemrën dhe për të gjetur sërish veten,” është shprehur ajo.
Ajo ka falënderuar gjithashtu ndjekësit për mbështetjen dhe mesazhet e shumta të ngushëllimit, duke vlerësuar mirëkuptimin e tyre gjatë mungesës së saj. Në fund, Elijona u shpreh se synon të vazhdojë të inspirojë vajzat e reja dhe të jetë më aktive dhe më e fortë në këtë fazë të re të jetës së saj.
