
Koncerti i reperit Kanye West në Francë është shtyrë, në një kohë kur autoritetet franceze po shqyrtojnë edhe mundësinë e kufizimit të hyrjes së tij në vend për shkak të deklaratave të tij të mëparshme antisemitike.
Vetë artisti ka bërë të ditur në platformën X se shfaqja e planifikuar për më 11 qershor në stadiumin “Stade Vélodrome” në Marseille nuk do të zhvillohet në datën e parashikuar dhe është pezulluar pa një afat të ri. Koncerti ishte pjesë e turneut të tij të rikthimit për vitin 2026.
Në reagimin e tij, West u shpreh se vendimi është marrë pas reflektimit personal dhe se nuk dëshiron që fansat të përfshihen në situata të paqarta, duke theksuar se ata mbeten prioritet për të.
Ndërkohë, në Francë ka pasur reagime të forta politike kundër zhvillimit të koncertit. Kryetari i bashkisë së Marseille, Benoît Payan, deklaroi se qyteti nuk do të pranojë evente që mund të lidhen me “gjuhë urrejtjeje”, duke e bërë të qartë se artisti nuk është i mirëpritur.
Edhe Ministria e Brendshme franceze, përmes Laurent Nuñez, ka konfirmuar se po shqyrtohen opsionet ligjore për të ndaluar eventin, megjithëse një vendim i tillë mbetet i vështirë për t’u zbatuar pa bazë të fortë ligjore dhe pa rrezik për rendin publik.
Situata në Francë vjen pas polemikave të mëparshme në Europë, ku Kanye West është përballur me anulime dhe kufizime të ngjashme, përfshirë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku pjesëmarrja e tij në një festival u hoq pas reagimeve të ashpra politike.
Reperi ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave vitet e fundit për deklarata dhe qëndrime të konsideruara antisemitike, si dhe për projekte dhe promovime të tij që kanë shkaktuar debat të gjerë publik.
Për momentin mbetet e paqartë nëse koncerti në Marseille do të riplanifikohet apo do të anulohet përfundimisht.
