
Distria Krasniqi vazhdon të dominojë arenën ndërkombëtare të xhudos, duke u kurorëzuar kampione e Evropës për herë të katërt në karrierë, një arritje e jashtëzakonshme që vjen për të tretin vit radhazi.
Në finalen e madhe të Kampionatit Evropian 2026, të mbajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë, xhudistja kosovare u përball me francezen Amandine Buchard, në një duel që riktheu një nga rivalitetet më të forta të këtij sporti. Përballja ishte intensive dhe e luftuar deri në fund, duke treguar edhe një herë nivelin e lartë të të dy sportisteve.
Rrugëtimi i Distrias drejt medaljes së artë ishte mbresëlënës. Ajo dominoi ndeshjet e para me siguri dhe vetëbesim, ndërsa në çerekfinale tregoi epërsi të qartë ndaj kundërshtares. Në gjysmëfinale, u përball me italianen Odette Giuffrida, të cilën e mposhti me një Yuko pas një sfide taktike dhe të fortë, duke siguruar kështu vendin në finale.
Me këtë triumf, kampionia olimpike konfirmon edhe një herë statusin e saj si një nga figurat më të mëdha të sportit kosovar dhe jo vetëm, duke vazhduar të shkruajë histori në xhudo.
