KreuBusull

Shpresa duhet ushqyer! 10 vite "Fundjavë Ndryshe", Arbër Hajdari mbledh gjithë Shqipërinë!

 

Kur “Fundjavë Ndryshe” nisi rrugëtimin e tij dhjetë vite më parë, pak kush do të kishte imagjinuar se do të shndërrohej në një nga lëvizjet më të mëdha humanitare në Shqipëri.

1 dekadë nga themelimi i “Fundjavë Ndryshe”, një moment për të reflektuar dhe për të rikujtuar se sa shumë ka fituar shoqëria shqiptare nga përkushtimi i kësaj nisme humanitare. Misioni i tij është qartësisht i përcaktuar: lufta kundër varfërisë, përmes mbështetjes ekonomike, arsimore, shëndetësore, si dhe nxitjes së integrimit social dhe mundësive reale për një jetë më të dinjitetshme.

Mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve, të pranishëm ishin figura të njohura politike nga vendi dhe trojet, që nga nga kryeministri Edi Rama te ish-Presidentët Alfred Moisiu e Bamir Topi, lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ish-kryeministri maqedonas Talat Xhaferri dhe ish-kryeministri malazez, Dritan Abazoviç, miqtë e ekranit të Arbërit, por mbi të gjitha edhe vet protagonistët e ngjarjeve të 10 viteve "Fundjavë Ndryshe", të cilët ndanë historitë e tyre të rilindjes, mbi jetën dhe vuajtjet e saj.

Kreu i qeverisë Edi Rama mbajti edhe një fjalim, ku u ndal te misioni i këtij fondacioni dhe falënderoi e uroi për jetëgjatësi të kësaj nisme drejtuesin e fondacionit, Arbër Hajdarin.

"Bamirësia e vërtetë nuk është bujari me atë që ke tepër, por është bujari në radhë të parë me vetveten. Bujari që mishërohet te shprehja ‘lum kush jep, jo kush merr’, dhe faktikisht bamirësia është një vendim për ta hapur veten ndaj tjetrit dhe për të mos e parë tjetrin si një barrë kur ai është në vështirësi, por si një pasqyrë ku reflektohet masa e njerëzillëkut që ke vetë.

Ajo që ndodh me këtë fondacion, është ndërtimi i zakoneve të zemrës dhe natyrisht që mes këtyre zakoneve të mbledhura bashkë për të bërë një zakon të një grupi njerëzish, stërvitja e shpresës dhe disiplina e bamirësisë janë dy zakone që qëndrojnë detyrimisht më lart se zakonet e tjera.

Arbër, Fundjava Ndryshe është një palestër e shpresës, dhe trajner i disiplinës."- u shpreh Rama

10 vjet “Fundjavë Ndryshe”, janë 10 vjet solidaritet, përpjekje, ndryshim. Historia e këtij fondacioni tregon se një nismë me zemër e përkushtim mund të bëjë ndryshime reale, që ndihen për vite me radhë.