KreuBeauty

"Tayna më dha 250 euro për këngën" Alida Hisku zbulon detaje nga bashkëpunimi me reperen

Një nga këngët më ikonike të muzikës shqiptare, “Vajzat e fshatit tim”, e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet prej më shumë se 50 vitesh nga tre breza, u rikthye në qendër të vëmendjes falë një remix-i nga reperja e njohur Tayna. Së fundmi, këngëtarja legjendare Alida Hisku ka zbuluar detaje nga biseda me artisten nga Kosova dhe mënyrën si lindi bashkëpunimi.

E ftuar në një intervistë së fundmi, Hisku tregoi se iniciativa për rikrijimin e këngës erdhi nga stafi i Taynës, të cilët kishin dëgjuar për suksesin ndër breza të hitit.

“Diku, menaxherëve të Taynës u kishin treguar për këtë këngë të bukur shqiptare që prej 50 vitesh këndohet nga tre breza. Biznesi siç është sot dihet. Ne shqiptarët e brezit tim nuk këndonim për biznes”, u shpreh Hisku.

Sipas saj, Tayna e kontaktoi personalisht dhe i kërkoi leje për të përdorur një pjesë nga zëri i saj në remix. “Më tha që dua të bëj këngën tënde dhe do të marr një pjesë nga zëri yt. E pashë në dy aspekte. Në konkurrencë nuk shoh asnjë këngëtar, sepse jam e një brezi tjetër. Unë marr qëllimin, jo interesat personale,” theksoi ajo.

Qëllimi i artistes, siç u shpreh vetë, ishte që kënga të arrinte edhe tek publiku i Kosovës, pavarësisht suksesit komercial. Ajo tregoi gjithashtu se Tayna kërkoi kontaktet e kompozitorit Enver Shëngjergji dhe autores së tekstit, Xhuljana Jorganxhi, për të ndjekur procedurat e nevojshme.

Një detaj që ka habitur fansat dhe ka ngjallur plot reagime ishte fakti se, dy javë pas bisedës, Tayna i kishte dërguar 250 euro.

Shumë ndjekës e kritikuan dhe e ironizuan për shumën këngëtaren, ndërsa të tjera fansa dolën në mbrotje të saj.

"Tayna më dha 250 euro për këngën" Alida Hisku

“Unë nuk e shita këngën, ja dhurova. Por ajo shumë ishte një simbol,” përfundoi Alida Hisku.

Remix-i i “Vajzat e fshatit tim” u kthye në një hit të dëgjuar gjerësisht nga të gjitha moshat, duke bashkuar dy breza artistësh në një projekt që riktheu në vëmendje një perlë të muzikës shqiptare.