KreuBeauty

8 miliardë dollarë bukuri: Si po pushtojnë tregun markat e yjeve të famshëm!

8 miliardë dollarë bukuri: Si po pushtojnë tregun markat e yjeve

Themelimi i një marke bukurie nga personazhet e famshme është shndërruar në një hap pothuajse natyral të zhvillimit të tyre profesional, ku imazhi personal dhe strategjia afatgjatë ndërthuren për të krijuar brand-e me ndikim global. Ky fenomen po vazhdon të dëshmojë sukses të jashtëzakonshëm, duke ushqyer një treg që tashmë vlerësohet rreth 8 miliardë dollarë.

Ndër shembujt më të fuqishëm është Rare Beauty, marka e themeluar nga Selena Gomez, e cila ka gjeneruar mbi 11.6 milionë kërkime vjetore në Google (tetor 2024 – shtator 2025) dhe është vlerësuar nga Fortune me 2.7 miliardë dollarë. Me një audiencë të re, të informuar dhe të ndjeshme ndaj transparencës, brandi ka fituar një pozicion të fortë në treg.

E njëjta prirje shihet edhe tek marka të tjera të famshme:

Fenty Beauty e Rihanna-s, e mbështetur nga Kendo Brands (LVMH), pritet të arrijë 600 milionë dollarë të ardhura në 2025, me një vlerësim që kap 3 miliardë dollarët.
Kylie Cosmetics, e Kylie Jenner, ka një vlerësim rreth 1.2 miliardë dollarë.
Rhode, marka e Hailey Bieber, u ble në maj nga E.l.f Beauty me vlerësim 1 miliard dollarë.
Vetëm këto katër marka, në total, afrojnë 8 miliardë dollarë vlerë të kombinuar, duke konfirmuar fuqinë ekonomike të brand-eve të drejtuara nga celebrity-t.

Sipas Erika Andreetta, EMEA Fashion & Luxury Leader dhe partnere në PwC Italia, «fama është një përshpejtues, jo motori kryesor». Ajo thekson se suksesin e garanton besueshmëria e figurës publike dhe identiteti i fortë i vetë markës.

Ndërkohë, pritet me interes të madh hyrja e Skims të Kim Kardashian në sektorin e beauty. Pasi arriti një vlerësim prej 5 miliardë dollarësh në nëntor dhe bleu linjën SKKN by Kim, marka po përgatitet për zgjerim të fuqishëm. Produkti tashmë viral Face Wrap ka shkaktuar diskutime të polarizuara, duke ngritur pyetjen nëse mund ta çojë brandin në një nivel edhe më të lartë.

Megjithatë, jo çdo iniciativë e famshme rezulton fituese. Flower Beauty e Drew Barrymore u mbyll pas pak sezonesh, ndërsa Cosmoss e Kate Moss përfundoi në likuidim pas vetëm 36 muajsh aktivitet, me 3 milionë sterlina borxhe ndaj kreditorëve.

Edhe pse tregu po bëhet gjithnjë e më i ngopur, kërkesa për marka autentike dhe me strategji të qëndrueshme mbetet e lartë. E ardhmja e markave të bukurisë nga te famshmit do të varet nga aftësia për të ndërtuar vizione afatgjata që shkojnë përtej imazhit të themeluesit.