Ngjyra e kuqe, magnetike dhe e thellë, ka qenë gjithmonë simbol i pasionit, luksit dhe dramës që trondit zemrën e shikuesit. Një nuancë që nuk kalon kurrë pa u vënë re dhe që në kinema ka shërbyer si gjuhë vizuale për emocione të forta nga tundimi te tragjedia, nga rebelimi te dashuria e zjarrtë. Jo rastësisht, kjo është edhe ngjyra e perdes së teatrit dhe ajo që, siç thuhet shpesh, mjafton ta veshësh për të transformuar një ditë të zbehtë në një moment magjepsës.
Kinematografia, që prej ditëve të saj të para, e ka përdorur të kuqen si simbolikë të shumëfishtë: mëkat, liri, luks, por edhe ndjenjë e thellë. Dhe disa prej veshjeve më ikonike të ekranit kanë hyrë në histori pikërisht falë kësaj ngjyre.
Rossella O’Hara “Gone with the Wind”
Antiheroina legjendare shfaqet me një fustan të kuq vezullues e provokues një deklaratë e hapur e shpirtit të saj rebel dhe sfidues.

Julia Roberts “Pretty Woman”
Fustani i kuq i gjatë, me dekolte elegante, kthehet në simbol të dashurisë pasionale në një nga skenat më të paharrueshme të filmit. Një moment që e ka bërë këtë veshje pjesë të kulturës pop.
![]()
Nicole Kidman “Moulin Rouge!”
Me një stil që ndez memorien e modës së fund-shekullit XIX, fustani i saj i kuq është një kombinim romantik dhe tragjik. Në skenën e “One Day I’ll Fly Away”, ai shkëlqen në harmoni të plotë me flokët e aktores, duke i dhënë veshjes një dimension melodramatik magjepsës.

Keira Knightley “Anna Karenina”
E kuqja merr një ngjyrim dramatik në interpretimin e heroinës së Tolstoit, ku fustani i saj përçon dhimbjen, intensitetin dhe fatin e pashmangshëm të personazhit.


Winona Ryder & Sadie Frost “Bram Stoker’s Dracula”
Në filmin e Coppola-s, e kuqja shndërrohet pothuajse në një simbol demonik, ku kostumet e personazheve femra marrin një dimension të errët e hipnotik.

Marilyn Monroe & Jane Russell “Gentlemen Prefer Blondes”
Dy nga ikonat më të mëdha të kinemasë shfaqen të paarritshme në fustanet e tyre të kuqe, duke vulosur statusin e kësaj ngjyre si sinonim i glamour-it absolut.

Jessica Rabbit bombshell-i i animuar që nuk e zbeh dot as realiteti
Edhe pse e vizatuar, ajo mbetet një nga figurat më sensualë të kulturës pop, falë fustanit të kuq që ka bërë histori.

