KreuArt

Ledia Sulaj: Carla Fracci dhe një ëndërr e bërë realitet

Në Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit që u mbajt në Romë, trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit u kthye me një çmim, si trupa me prurjet dhe kontributin më të mirë këtë sezon në mbarë Europën.
Primabalerina e TKOP, Ledia Sulaj tregon në një intervistë për Bordo.al këto ndjesi dhe vlerësimin e marrë nga një prej balerinave më të mira në botë, Carla Fracci.

Nga Sidorela Lepri

Ledia, së fundmi jeni përgëzuar për performancën tuaj nga një prej balerinave më të mira në botë, Carla Fracci. Ç’domethënie ka për ju ky vlerësim?

Vlerësimi nga ikona e baletit botëror ka qenë një ëndërr e bërë realitet. Mendoj që të tilla çaste dhe momente të vijnë vetëm një herë në jetë dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt. Vlerësimi i saj për mua është një motivim për të vazhduar më lart dhe sigurisht për të punuar më fortë. U krijua dhe një gjendje psikologjike dhe shpirtërore fantastike.

Si u ndjetë në ato momente?

Ato momente nuk dija si ta falenderoja dhe ti përgjigjesha, por një shtrëngim duarsh ishte xhesti më i bukur dhe më fisnik nga ana e saj. Ajo ishte tepër detajuese. Unë kisha shumë emocione, sepse në rradhë të parë në publik ishte diva Carla Fracci. Më pas thashë: Kërce si ti di të bësh më mirë dhe shijoje këtë moment. Tani që më pyetët ju, nuk më kujtohen shume detaje nga emocioni i madh që kisha.

Ju motivoi ky vlerësim dhe ato duartrokitje për të arritur edhe më shumë në fushën e baletit?

Mendoj që vlerësimi dhe duartrokitjet nuk vijnë rastësisht. Që do të thotë: prej 2 vitesh është bërë një punë kolosale në fushën e baletit. Zhanre të ndryshëm kërcimi, emra të mëdhenj koreografësh botëror si dhe turne pa fund jashtë kufijeve tanë. Të gjitha këto eksperienca të pjekim artistikisht dhe të japin besim në vete. Edhe pse jemi popull i vogël kemi shumë talente kudo dhe kjo gjë vërtetohet here pas herë në çdo fushë të artit.  Sigurisht, që motivimi është shumë i rëndësishëm dhe më shtyn të punoj akoma më fort.

E ke menduar të punosh jashtë vendit?

Në moshë më të vogël dhe e kam menduar, por mundësitë nuk kan qenë konkrete. Më pas u aktivizova menjëherë në TKOB dhe isha e kënaqur me rolet që kryeja. Ndërsa tani nuk e mendoj fare, sepse jam e plotësuar. Kam familjen afër, kërcej brenda vendit tim dhe nëpër teatro botëror. Dhe publiku i teatrit tonë më bën gjithnjë shumë të lumtur dhe ndihem vërtet ngrohtë.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit që u mbajt në Romë, trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit u kthye me një çmim, si trupa me prurjet dhe kontributin më të mirë këtë sezon në mbarë Europën. Na tregoni pak për këto emocione?

Me çmimin në Romë u shpërblye puna, lodhja, sakrificat jo vetëm e imja, por e të gjithë kolegëve. Mua më duket që po zhvilloj punën time normale dhe nuk e ndjeja se bota na sheh me sy tjetër me vlerësime të larta. Kjo është ndjesia dhe vlerësimi më i bukur që kemi marrë pas 60 vitesh në TKOB për baletin. Meritë të madhe ka dhe maestro, Ilir Kerni për këto mundësi të mëdha që na ofron. Kjo është një pike nisje dhe vetëm fillimi.

Momentalisht, jeni nga balerinat më të aktive në skenë. Çfarë roli do të doje të shtoje në karrierrën tënde?

Fatmirësisht jam prima balerina kryesore e TKOB dhe më është dhënë mundësia të kërcej vepra të mëdha botërore. Ka ende shume role për të bërë. Ka ende shumë punë para, por një rol që mund të jetë konkret dhe shpresoj se afërmi është: Kitri në baletin “Don Kishoti”, ne të ka plot energji, teknikë dhe virtuozitet. E gjej veten, sepse dhe unë jam shumë energjike dhe mendoj se përshtatem më së miri. Uroj, shpresoj dhe besoj ta performoj këtë personazh shume karizmatik dhe të veçantë.

Dhe meqënëse jemi në verë, planet për pushimet?

Në datën 9 dhe 10 korrik kemi shfaqet e fundit ne TKOB me baletin Monger. Më pas marim pushimet. Dhe kam prenotuar në Barcelonë një javë. Më pas në gusht kemi sërisht shfaqe dhe punë bashkë në Sardenja të Italisë. Edhe kjo verë do të jetë me kërcim dhe pushime, por asnjëherë nuk mungojnë fundjavat në jugun tonë të mrekullueshëm.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF