KreuStil Jetese

Kandidati për Kandidat/ Një libër që na zgjon: Shoqëria, politika dhe individi në Shqipërinë e sotme!

 

Nga Elda Vela

Romani i shkrimtarit Arben Çejku, “Kandidati për Kandidat”, nuk është një libër i zakonshëm që të argëton apo të ngjall kureshtje. Autori e fillon këtë libër me një buzëqeshje, e cila venitet nga faqja në faqe sepse t’i sheh si në pasqyrë një skanim të thellë të situatës ku ndodhet sot shoqëria shqiptare, politika, madje autori ka guxuar me sukses të skanojë edhe situatën shpirtërore të mënyrës se si sot “mbijeton dashuria e shformuar”. “Fjetja e saj në shtratin e nxehtë të politikës, e la gjithnjë e më të vetmuar në shtratin e romantikës”, një pasazh ky që duket se i thotë të gjitha.

Një të riu indiferent ndaj situatave në vend, përmes librit i jepet një tablo e qartë se si funksionojnë partitë.

Figura të reja politike apo ‘mimoza të reja’ çelnin gjithnjë në kopshtin e madh të partisë, kështu që udhëheqja, i caktonte vendin e merituar secilit, nuk mbahej në prehrin e saj vetëm një mimozë, ajo duhej ndërruar, me qëllim që freskia dhe bukuria të shkonin bashkë. Çdo lule e re e partisë duhej të trajtohej sipas vlerave që shprehte dhe me kalimin e kohës, vendosej në vazon përkatëse..”, tejet domethënëse kjo pjesë e shkëputur prej librit.

I shkëlqyer është edhe bilanci me argumente pro dhe kundër i kandidatit për të hyrë në politikë, karshi vetes. Metafora dhe ironia therëse me të cilën ka emërtuar disa nga personazhet e librit, si Trëndafile, Ferra apo Shpejtim, Ngadalësimi apo Qëndrim Fluturaku, janë një ftesë për reflektim, por edhe një kambanë e fortë se ku po shkojmë. Jo çdokush ka aftësinë të dijë të lëvrojë letërsinë satirike të Konicës si Çejku, analiza e thellë nëpërmjet një rrëfimi sa humoristik, edhe tronditës, e bën lexuesin të reflektojë.

Sa progres kemi bërë vallë në këto vite kur lexon, “‘Dora e partisë’, tashmë nuk ishte një dorë moniste si dikur, por tani, më keq akoma, nga një ishin bërë disa duar, nga të cilat nuk shpëtoje dot, sepse nëse njëra të mbante, tjetra të shtynte, nëse njëra të ngrinte, tjetra të ulte, nëse njëra të rrotullonte, tjetra të ndalonte dhe, secila prej tyre zgjatej fshehtas që nga prapaskena…”.

Gjithë loja politike brenda partisë në libër ndërthur situatën e ditëve post-zgjedhore. Situatë e cila më bëri të mendoj se gjërat nuk kanë për të ndryshuar nëse njerëzit nuk punojnë për t’u zhvilluar vetë në çdo dimension dhe të mos varen për çdo gjë nga ata njerëzit e vegjël që zënë poste drejtuese, të cilët në vend që t’i përvishen punës, numërojnë “like”-t në rrjetet sociale. Duhet që njerëzit të zgjohen, të zgjedhin veten, të punojnë për veten çdo ditë. Vetëm duke u rritur vetë do të kenë pritshmëri dhe zgjedhje të tjera. Jo zgjedhje që bëhen me sy mbyllur, por zgjedhje për veten, për ata që bëjnë punën, për ata që u shërbejnë atyre, jo karriges së tyre. Përtej politikës, kushdo që lexon këtë libër, me siguri do të mendojë se jemi ndër popujt e rrallë që ndoshta e kemi “merituar diktaturën” dhe, fatkeqësisht, kemi mbetur ende robër të saj.