Edhe pse ato mund t’i gjejmë në markete gjatë gjithë vitit, nuk duhet të harrojmë se është vera që e bën domatet të skuqen. Ndaj, shija dhe aroma e saj janë të pakrahasueshme! Nuk ka rëndësi forma, ndonjëherë as ngjyra, sepse domatja mbetet një perime e cila duhet konsumuar rregullisht në menunë e përditshme, nga sallatat te supat, e deri te pastat, e gjithfarë formash gatimi, pasi ajo i jep shije çdo pjate.
Djathë i pjekur me domate qershi
Përbërësit: 250 g djath i bardhë feta, dhjetë domate qershi, erëza aromatike, vaj ulliri, mjaltë dhe piper.
Përgatitja: Në një tavë, vendosni djathin feta në qendër. Lani domatet qershi, pritini përgjysmë dhe vendosini rreth djathit. Spërkatini sipër me pak ulliri, pak mjaltë, erëza dhe piper, e më pas futeni në furrë për pjekje në temperaturë 240 gradë Celsius për rreth 15 minuta.

Domate qershi dhe uthull balsamike
Përbërësit: 20 kokrra domatesh qershi, 25 g gjalpë, 1/2 tufë sherbelë, 20 ml uthull balsamike, 50 g fara susami të bardha dhe të zeza, vaj ulliri.
Përgatitja: Pastroni domatet dhe gjethet e sherbelës. Më pas në një tigan, ngroheni pak vaj ulliri dhe lyejeni me gjalpë. Skuqni gjethet e sherbelës në gjalpin që shkumëzon, pastaj shtoni domatet dhe gatuajini për 10 minuta. Në një enë hidhni uthullën balsamike dhe në një tjetër farat e susamit. Zhytni më parë domatet në uthullën balsamike, pastaj kalojini mbi farat e susamit që të ngjiten. Shijojeni të ngrohtë me sherbelë.

Tartë me domate dhe rikota
Përbërësit: 500 g domate, 1 grusht gjethe borziloku, brumë, 90 g domate të thara, 200 g rikota, 60 g djathë parmixhano, 1 vezë, kripë dhe piper
Përgatitja: Ngroheni paraprakisht furrën në temperaturë 210 gradë Celsius. Lani domatet dhe pritini në feta ose përgjysmë, në varësi nga madhësia. Përzieni domatet e thata me rikotën, shtoni pastaj djathin parmixhano dhe në fund vezën. Përziejini bashkë dhe në fund kriposeni lehtë dhe shtoni sipër piper. Vendoseni brumin në një tavë, shpojeni me pirun dhe pastaj shpërndajeni përzierjen e rikotës sipër. Mbulojeni sipër mbushjen e tartës me domatet e freskëta të prera dhe vendoseni të piqet për 40 minuta. Spërkateni me borzilok dhe shërbejeni të ngrohtë.



