KreuStil Jetese

Martesat dhe lindjet në rënie historike, kriza demografike në Shqipëri!

Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të vështira demografike të dekadave të fundit, me një rënie të vazhdueshme të lindshmërisë dhe një numër rekord të ulët martesash. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 u regjistruan vetëm 16,120 martesa, niveli më i ulët historik që nga viti 1990 – një rënie prej 7.7% krahasuar me 2023 dhe mbi 18% më pak se në vitin 2021.

Në vitin 1990, numri i martesave arrinte gati 29 mijë, dy herë më shumë se sot. Ekspertët e lidhin këtë rënie me faktorë të shumtë: emigracionin masiv të të rinjve, pasiguritë ekonomike, koston e lartë të jetesës, si dhe mungesën e politikave konkrete për mbështetjen e familjeve të reja.

Tendenca nuk është e re: pas një rimëkëmbjeje në fillim të viteve 2000, numri i martesave nisi sërish rënie pas vitit 2010, një trend që u përshpejtua ndjeshëm pas pandemisë së 2020-s. Megjithëse në 2021 pati një rritje të përkohshme për shkak të ceremonive të shtyra, rënia ka vijuar: 18,781 martesa në 2022, 17,467 në 2023 dhe 16,120 në 2024.

Kjo krizë demografike reflektohet edhe në numrin e lindjeve. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2025, lindjet ranë me 6.5%, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë pothuajse ka arritur zero. Në qytete si Kukësi, Gjirokastra dhe Pogradeci, rënia ka kapur mbi 35%.

Ndërkohë që shumë vende europiane po zbatojnë politika aktive për nxitjen e lindshmërisë, Shqipëria mbetet pa një strategji kombëtare afatgjatë për përballimin e kësaj sfide. Sipas sociologëve, nëse ky trend vazhdon, vendi do të përballet me pasoja serioze: mungesë të fuqisë punëtore, krizë në sistemin e pensioneve dhe presion të shtuar mbi ekonominë dhe sistemet sociale.