KreuStil Jetese

Ferrari prezanton një model special vetëm për klientë të zgjedhur!

Para nisjes së garës 24 Hours of Le Mans, Ferrari prezantoi versionin 296 në konfigurimin “Piloti Ferrari”, opsioni më i ri i programit ekskluziv Tailor Made. Ky konfigurim i veçantë u krijua për të festuar sukseset e arritura në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë të FIA-s (WEC) dhe për të nderuar pilotët dhe klientët e përfshirë në aktivitetet garuese të markës.

I frymëzuar nga makina 499P – fituesja absolute e edicioneve 2023 dhe 2024 të 24 Hours of Le Mans në kategorinë e hipermakinave – ky version i 296 është i disponueshëm vetëm për klientët që marrin pjesë në garat zyrtare të Ferrarit. “Piloti Ferrari 296 Speciale” vjen në katër ngjyra garuese: Rosso Scuderia, Blu Tour De France, Nero Daytona dhe Argento Nürburgring. Automjeti përmban një sistem fuqie hibride plug-in, që kombinon një motor elektrik me një motor V6 me dy turbo.

 

Ndërkohë, muajin e kaluar Ferrari regjistroi dy emra të rinj – SC40 dhe CZ26, duke shkaktuar menjëherë spekulime për modele të reja ose versione speciale që mund të jenë në zhvillim. Ferrari njihet për diskrecionin që mban rreth projekteve të ardhshme, ndaj regjistrimi i këtyre emrave pranë zyrës së patentave ka rritur interesin dhe kureshtjen në komunitetin automobilistik. Edhe pse disa prodhues regjistrojnë emra që nuk i përdorin kurrë, një gjë e tillë ndodh rrallë me Ferrarin.

Në shkurt, kompania njoftoi se gjatë vitit 2025 do të prezantojë gjashtë modele të reja, përfshirë edhe modelin e parë plotësisht elektrik, i cili, megjithatë, është shtyrë për debutim në vitin 2026. Në prill, Ferrari zbuloi zyrtarisht modelin 296 Speciale.

Përgatiti: Libera Resulaj