KreuStil Jetese

Një tjetër incident me Air India, avioni bën ulje emergjente një orë pas nisjes!

Një avion Boeing 787-8 Dreamliner i kompanisë Air India,i cili udhëtonte drejt New Delhi, u detyrua të kthehej me urgjencë në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut, vetëm pak minuta pas ngritjes ditën e sotme, për shkak të një problemi teknik të dyshuar.

Fluturimi AI315, i nisur nga Hong Kongu rreth orës 12:20 pasdite (ora lokale), u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 13:15, pasi pilotët raportuan vështirësi teknike dhe kërkuan të jenë gati për ulje emergjente. Autoritetet konfirmuan se asnjë pasagjer nuk u lëndua dhe se incidenti nuk ndikoi në operacionet e aeroportit. Në një deklaratë zyrtare, Air India njoftoi se kthimi i avionit ishte një masë paraprake dhe se fluturimi po i nënshtrohej kontrolleve të shumta teknike. Avioni, që është 7 vjeçar, kishte arritur një lartësi prej 22,000 metrash para se të fillonte zbritjen.

Ky është incidenti i dytë brenda disa ditësh që përfshin avionë të të njëjtës kompani dhe model Boeing. Javën e kaluar, një tjetër avion Air India, në fluturim drejt Londrës, u rrëzua në Ahmedabad, Indi, vetëm pak çaste pas ngritjes, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë me 241 viktima nga 242 persona në bord. Shkaqet e asaj ngjarjeje janë ende në hetim. Këto ngjarje përbëjnë një sfidë serioze për Air India, e cila po kalon një proces të gjerë reformimi të flotës dhe imazhit të saj ndërkombëtar. Po ashtu, ato rikthejnë në qendër të vëmendjes shqetësimet për sigurinë e avionëve Boeing, një kompani që në vitet e fundit është përballur me disa kriza që kanë tronditur reputacionin e saj global.

As Boeing, as Air India nuk kanë dhënë ende komente publike mbi shkaqet teknike të incidentit të fundit në fluturimin nga Hong Kongu për në New Delhi.