Kursi i këmbimit të Euros ndaj Lekut pësoi një tjetër rënie të premten, duke zbritur në minimumin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një Euro u këmbye me 97.88 lekë – niveli më i ulët historik deri më sot.
Sipas ekspertëve të tregut valutor, kjo rënie lidhet kryesisht me rritjen e ndjeshme të prurjeve valutore, të nxitura nga fluksi i turistëve në muajin qershor. Të dhënat tregojnë se një dobësim i ngjashëm i Euros u shënua edhe një javë më parë, kur vlera e saj ra sërish nën kufirin e 98 lekëve.
Në përpjekje për të frenuar zhvlerësimin e mëtejshëm, Banka e Shqipërisë ndërhyri në fillim të javës së kaluar duke blerë Euro në treg, çka solli një rritje të përkohshme të saj mbi 98 lekë. Megjithatë, afrimi i fundjavës solli sërish presion mbi monedhën europiane, duke e çuar atë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Ashtu siç është parë edhe vitet e tjera, sezoni turistik po ndikon ndjeshëm në kursin e këmbimit. Që nga mesi i prillit, Euro ka pësuar një tendencë të qëndrueshme rënëse ndaj Lekut. Kjo lidhet me rritjen e ndjeshme të hyrjeve valutore, kryesisht përmes turizmit dhe vizitorëve të huaj. Ky presion është shtuar edhe më shumë me intensifikimin e sezonit në qershor.
Një tjetër faktor që ndikon në forcimin e Lekut është politika fiskale shtrënguese e ndjekur vitet e fundit, e cila ka prodhuar suficite buxhetore të mëdha. Deri në fund të katërmujorit të parë të këtij viti, suficiti arriti në 38 miliardë lekë, ndonëse ishte 24% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vitin 2024, Banka e Shqipërisë kishte frenuar rënien e Euros përmes blerjes masive të valutës që filluan në maj dhe vazhduan gjatë pjesës tjetër të vitit. Në total, ajo bleu rreth 933 milionë euro – sasia më e lartë ndonjëherë e blerë nga tregu i brendshëm valutor.

Zbuloni përfitimet e ujit të orizit për flokët!


Qershitë dhe zemra, një lidhje e shëndetshme!
















