Shijoni pjatat e freskëta me produktin e sezonit, spinaqin i cili duke u kombinuar me brumra, peshk dhe barishte të tjera, mund të dhurojë ndjesi fantastike Barishtet janë një nga përbërësit më të shëndetshme të sezonit, e mes tyre spinaqi është në krye të listës, për vlerat ushqyese. Shpesh për fëmijët përdorim formulën ‘spinaqi të bën me muskuj’, por në fakt të gjtiha të mirat e tij janë ta jashtëzakonshme. Vitamina K është mbizotëruese tek spinaqi: në një porcion 100 gram ka 23 kalori, 3 gr proteina, 4 gr karbohidrate, 2 gr fibër dhe 0 gr yndyrna. Gatimi i spinaqit i jep pjatave një shije të fortë, por në sallata është tejet delikate. I pasur në antioksidant, ky ushqim ka veti shumë të larta antioksiduese dhe ju ndihmon në uljen e inflamacionit në trup. Mund ta përdorni edhe në avull, të zier, ose të skuqur, ku përveç humbjes së volumit, asnjë vlerë ushqyese nuk shkon dëm.
Fritata me spinaq dhe parmixhano
Përbërësit: 1 tufë spinaqi, 1 filxhan fasule të zjera, 2 vezë të mëdha, 2 thelpinj hudhër, 1 limon, fara kungulli, djathë parmixhano, vaj ulliri, kripë dhe piper.
Përgatitja: Filloni pastroni spinaqin. Pastaj shpëlani fasulet e zjera. Në një tas të madh hidhni vezët dhe rrihini, duke shtuar në fund hudhrën e grirë, kripë, piper dhe lëkurë limoni. Ngrohni një tigan me vaj në zjarr të lartë dhe më pas hidhni përzierjen. Shtoni sipër spinaqin, duke e shtypur lehtë me lugë, në mënyrë që të bashkohet me vezën. Lëreni të skuqet derisa spinaqi të humbas volum. Kur fritata të jetë e fortë hidhni sipër fasulet dhe shtrydhni lëng limoni. Vendosni kapakun dhe vazhdoni gatimin për 5 minuta. Shërbejeni duke e spërkatur me fara kungulli dhe copëza parmixhano.
Sallatë me spinaq, fara kungulli dhe vezë të ziera butë
Përbërësit: 1 vezë, 200 gr spinaq, majdanoz, 2 feta proshutë, 100 gr djathë i bardhë, 2 lugë vaj ulliri, 1 lugë uthull molle, 1 lugë çaji mjaltë, 2 lugë fara kungulli,
Përgatitja: Zjeni vezët për 6 minuta dhe lërini të ftohen në një tas me ujë me akull. Shpëlani gjethet e spinaqit dhe majdanozin, grijeni majdanozin dhe vendosini në një tas sallate. Pritni proshutën në shirita. Djathin e bardhë thërrmojeni dhe përzijeni me vajin e ullirit, uthullën, mjaltin, një majë kripe dhe një majë piper të zi, duke përgatitur një salcë kremoze të cilën shtojeni sipër gjetheve të spinaqit dhe majdanozit. Përziejini dhe shtoni sipër shiritat e proshutës, vezën e zier butë me farat e kungullit.
Supë me spinaq dhe avokado
Përbërësit: ½ avokado, 300 gr spinaq, 50 gr kos, 1 qepë, vaj ulliri, 1 limon, kripë dhe piper
Përgatitja: Si fillim pastroni dhe lani mirë spinaqin dhe më pas vendoseni të ziejë. Më pas, pritni avokadon në pjesë të vogla dhe mbi të hidhni limonin dhe qepën e grirë. Përziejini mirë me spinaqin dhe shtoni vajin, kosin, kripën dhe piperin. Vendosini të gjithë përbërësit në blender dhe përziejini deri sa të formohet një masë kremoze. Supën shërbejeni me kos ose fruta të thata.


Zbuloni përfitimet e ujit të orizit për flokët!


Qershitë dhe zemra, një lidhje e shëndetshme!















