Ibiza, e njohur për ujërat e kristalta dhe festat e verës, është përfshirë nga një krizë mjedisore që po shqetëson si vendasit ashtu edhe turistët, shkruan la Repubblica. Shumë vizitorë janë shprehur se kanë frikë të hyjnë në det, pas raportimeve të shumta për praninë e gjarpërinjve gjigantë, disa deri në 1.8 metra të gjatë, që notojnë pranë bregdetit të ishullit. Ky fenomen ka bërë që disa të anulojnë pushimet nga frika dhe pasiguria.
Megjithatë, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Problemi i vërtetë qëndron tek përhapja e shpejtë e një specieje të huaj: gjarpri i barit (Hemorrhois hippocrepis), një lloj i zakonshëm në Spanjën kontinentale dhe Afrikën e Veriut, i cili ka ndryshuar dukshëm ekosistemin e ishullit.
Pushtimi filloi nga toka dhe tani ka mbërritur në det
Ky gjarpër besohet se ka mbërritur në Ibiza në fillim të viteve 2000, duke u futur pa dashje përmes rrënjëve të ullinjve zbukurues të importuar nga gadishulli Iberik. Duke mos pasur grabitqarë natyrorë dhe me bollëk ushqimi, kryesisht hardhuca endemike Podarcis pityusensis – popullsia e tij është shtuar me ritme alarmante. Ajo që nisi me disa raste të izoluara, tani është shndërruar në një fenomen të pakontrollueshëm. Gjarpërinjtë janë përhapur nga brigjet e Portinatx deri te ishujt përreth si Espartar, duke pushtuar habitatet e faunës vendase.
“Të shihje gjarpërinjtë në ujë ishte tronditëse. Nuk na shkonte mendja se do të ishin notarë kaq të mirë,” thotë Víctor Colomar, koordinator i një konsorciumi për mbrojtjen e faunës në Ishujt Baleare.
Fenomeni i gjigantizmit: gjarpërinj gjithnjë e më të mëdhenj
Përveç përhapjes së tyre, një tjetër aspekt shqetësues është rritja e përmasave të këtyre gjarpërinjve. Një ekzemplar i kapur në vitin 2013 arriti një gjatësi rekord prej 1.83 metrash, ndërkohë që madhësia mesatare e kësaj specieje është rreth 89 centimetra. Sipas shkencëtarëve, mungesa e grabitqarëve dhe prania e bollshme e ushqimit kanë kontribuar në këtë fenomen gjigantizmi, duke çuar në gjarpërinj më të mëdhenj, që prodhojnë më shumë vezë dhe rrisin popullsinë me ritme edhe më të shpejta.






Zbuloni përfitimet e ujit të orizit për flokët!


Qershitë dhe zemra, një lidhje e shëndetshme!











