KreuCelebrity

Tragjedia e dy motrave, detaje të reja: Shisnin misra për kurimin e vëllait me leucemi!

Tragjedia e dy motrave, detaje të reja: Shisnin misra për kurimin e

Në familjen Dhimaku ka pllakosur tragjedia. Dyert e mortit janë hapur, ndërsa mes dhimbjes së papërshkrueshme familjarë, të afërm e miq po presin ngushëllime për ndarjen nga jeta të dy vajzave të reja, Elvisës, 22 vjeçe, dhe Rozinës, 20 vjeçe, të dyja studente të Mjekësisë.

Dy motrat njiheshin për përkushtimin dhe sakrificat e tyre. Për të ndihmuar në kurimin e vëllait 7-vjeçar, i cili vuan nga leucemia, ato punonin pa pushim, duke mbajtur madje edhe dy punë, për të lehtësuar gjendjen e rëndë ekonomike të familjes.

Të afërmit mes lotësh tregojnë se vajzat shpesh shisnin misra e prodhime të fshatit në Sarandë, për të mbuluar shpenzimet e trajtimit të të voglit. Mbrëmjen tragjike, pasi u kthyen nga një punë, morën pak pushim dhe u nisën sërish drejt qytetit bregdetar. Por rrugëtimi i tyre u ndërpre në mënyrë të tmerrshme: një 23-vjeçar, punonjës i Ministrisë së Brendshme, Kevi Norra, i dehur dhe me shpejtësi të lartë, bëri një parakalim të gabuar duke u marrë jetën dy motrave.

“Jetojmë në një dhimbje që nuk ka fjalë. Dy çupat ikën, nuk kthehen më. Punonin ditë e natë për të ndihmuar vëllain, se s’kishim mundësi. Erdhen, pushuan, pastaj u nisën prapë për punë… Dhe nuk u kthyen më”, rrëfen mes lotësh halla e tyre, Shahidja.

Dhimbja është edhe më e rëndë për faktin se i vogli, vetëm 7 vjeç, ende nuk e di se dy motrat e tij nuk jetojnë më. Për ta mbrojtur, familjarët e kanë larguar përkohësisht nga shtëpia, duke kërkuar kohë dhe forcë për t’i treguar të vërtetën.

“Kanë vetëm vëllanë e vogël, ai ishte shumë i lidhur me to. Po ta marrë vesh menjëherë, gjendja e tij do përkeqësohet. Kërkojmë ndihmë, sadopak, që djali të dërgohet në një spital më të specializuar për t’u kuruar”, shton halla mes lotësh.

Edhe xhaxhai i tyre, Vasil Dhimaku, i cili jeton në emigrim, shprehet i shokuar:
“Kjo që na ndodhi mos i ndodhtë askujt, as hasmit. Djali vuan prej tre vitesh nga një sëmundje e rëndë gjaku. Kemi luftuar me aq sa kemi mundur. Është vetëm 7 vjeç… Kur ta marrë vesh për motrat, s’e di si do e përballojë”.

Ndërkohë, prindërit e vajzave, të thjeshtë e punëtorë, po mbajnë mbi supe një dhimbje që s’ka ngushëllim. Babai merret me blegtori, ndërsa nëna kujdeset ditë e natë për djalin e sëmurë.

“Dy yje na i mori Zoti, 22 dhe 20 vjeç, të dyja studente në Tiranë. Prindërit u përpoqën t’u hapnin rrugë, të studionin, të bëheshin dikushi. Tani kërkojnë vetëm ndihmë për djalin e vogël. Djali nuk di gjë për motrat…”, thotë i tronditur daja i tyre, Servet Dervishi.