
Modelja dhe humanistja shqiptare, Emina Çunmulaj, ndodhet aktualisht në Kosovë. Ditën e sotme, ajo u prit nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilën zhvilloi një vizitë në zyrat e Fondacionit Jahjaga dhe në muzeun “Çast”.
Kjo vizitë pason kontributin e saj të një dite më parë (të hënën), kur ajo dhuroi 10 mijë dollarë për “Bibliotekën e Fëmijëve” në Prishtinë.
“Ashtu siç kishte premtuar, mikja ime e dashur dhe njëkohësisht Konsulja e Nderit e Shqipërisë në Florida, Emina Cunmulaj, u rikthye përsëri në Kosovë, përsëri për gratë tona, për t’i vazhduar punët aty ku i lamë.
Këtë herë, ditën e nisëm me një vizitë në zyret e Fondacionit Jahjaga dhe në muzeun “Çast”.
Vizita në muze asnjëherë nuk dështon të na prekë thellë, përmes çdo fjale dhe çdo artefakti, duke na rikujtuar dhimbjen e së kaluarës dhe forcën e atyre që mbijetuan.
Me Eminan biseduam edhe për projektet e Fondacionit dhe mundësitë e bashkëpunimit, me synimin e përbashkët për të mbështetur të mbijetuarit dhe për të fuqizuar ekonomikisht gratë tona”
