Shakira njihet si një nga artistet më ikonike të skenës botërore, falë energjisë dhe karizmës që përcjell në çdo performancë. Gjatë karrierës së saj ajo ka sjellë një sërë hitesh që kanë lënë gjurmë në industrinë muzikore.
Një prej tyre mbetet pa diskutim “Waka Waka”, himni zyrtar i Kupës së Botës në 2010 që u kthye në një nga këngët më të njohura në botë dhe u identifikua menjëherë jo vetëm me artisten, por edhe me vetë turneun. Po ashtu, në Kupën e Botës 2014 ajo solli një tjetër sukses me “La La La (Brazil 2014)”, të cilën e performoi edhe në ceremoninë e mbylljes në Rio de Janeiro.
Duket se një rikthim i ri në atmosferën e Kupës së Botës po vjen sërish nga artistja kolumbiane. Pasditen e djeshme, Shakira publikoi një pjesë 1 minutëshe nga kënga e re “Dai Dai”, që pritet të jetë himni zyrtar i këtij viti. Në këtë projekt ajo vjen në bashkëpunim me Burna Boy.
Kënga e plotë pritet të publikohet më 14 maj, por që në minutat e para fragmenti është bërë viral në rrjet. Dhe me sa duket, vera dhe atmosfera e botërorit do të kenë sërish vulën e Shakira.
View this post on Instagram
