
Këngëtari legjendar Sting ka ndarë hapur qëndrimin e tij për pasurinë dhe trashëgiminë, duke theksuar se nuk ka ndërmend t’ua kalojë atë fëmijëve të tij.
Në një intervistë të fundit, artisti 74-vjeçar u shpreh se, ndonëse i ka mbështetur financiarisht dhe u ka ofruar arsimimin e nevojshëm, ai beson fort se secili duhet të ndërtojë vetë rrugën e tij në jetë.
Sipas tij, ideja që fëmijët nuk kanë nevojë të punojnë është e gabuar dhe madje e dëmshme për zhvillimin e tyre personal. Sting theksoi se puna dhe përpjekja janë thelbësore për të arritur sukses të qëndrueshëm.
Ai tregoi se fëmijët e tij janë rritur me një ndjenjë përgjegjësie dhe kanë krijuar një etikë të fortë pune, duke mos u mbështetur te pasuria e prindit. Për këtë arsye, ai e sheh të rëndësishme që ata të përballen vetë me sfidat dhe të ndërtojnë karrierën e tyre.
Këngëtari shtoi se kjo nuk është një qasje e ashpër, por një mënyrë për t’i bërë ata më të pavarur dhe më të fortë në jetë. Ai gjithashtu vlerësoi faktin që fëmijët e tij rrallë i kërkojnë ndihmë financiare.
Kjo nuk është hera e parë që Sting mban këtë qëndrim, pasi edhe më parë ka deklaruar se nuk beson te trashëgimia e madhe si rrugë drejt suksesit për brezin e ri.
