KreuCelebrity

Blake Lively dhe Justin Baldoni mbyllin mosmarrëveshjen në gjykatë pa shkuar në proces gjyqësor

Blake Lively dhe Justin Baldoni mbyllin mosmarrëveshjen në
Pas një përplasjeje të gjatë ligjore që lidhej me filmin e tyre të vitit 2024 It Ends With Us, Blake Lively dhe Justin Baldoni kanë arritur një marrëveshje, duke i dhënë fund konfliktit mes tyre.

Ujdia u finalizua të hënën, vetëm pak javë përpara datës së parashikuar të gjyqit më 18 maj, dhe pas një vendimi paraprak të gjykatës që kishte rrëzuar shumicën e pretendimeve të ngritura nga Lively.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, të dy artistët vlerësuan projektin që i bashkoi, duke theksuar se filmi mbetet një arritje e rëndësishme dhe një kontribut në ndërgjegjësimin mbi dhunën në familje. Ata pranuan se procesi ka qenë i vështirë, por nënvizuan se shqetësimet e ngritura meritonin vëmendje.

Palët theksuan gjithashtu angazhimin për të promovuar ambiente pune të sigurta dhe profesionale, duke shprehur dëshirën që kjo çështje të shërbejë si një pikë mbylljeje dhe të hapë rrugën për një komunikim më konstruktiv në të ardhmen, edhe në hapësirën online.

Konflikti nisi në dhjetor 2024, kur Lively ngriti akuza për ngacmim seksual gjatë xhirimeve. Baldoni i hodhi poshtë këto pretendime dhe reagoi me një kundërpadi të majme për shpifje dhe zhvatje, e cila më vonë u rrëzua nga gjykata.

Më pas, një gjyqtar federal lejoi të vijonin vetëm disa nga akuzat fillestare, përfshirë shkeljen e kontratës dhe elemente të lidhura me hakmarrjen.

Gjatë gjithë procesit, çështja u shoqërua me publikimin e komunikimeve private, duke përfshirë edhe mesazhe me Taylor Swift, çka ndikoi në marrëdhënien mes saj dhe Lively.

Me këtë marrëveshje, të dyja palët shmangën një përballje të gjatë dhe të kushtueshme në gjykatë, duke mbyllur një kapitull që kishte tërhequr vëmendje të madhe publike për afro dy vite.