
Pas përfundimit të konfliktit ligjor mes Justin Baldoni dhe Blake Lively, ka reaguar publikisht avokati i aktorit, Bryan Freedman, i cili e konsideroi marrëveshjen mes palëve si një rezultat shumë pozitiv për klientin e tij.
Në një intervistë për TMZ Live, Freedman deklaroi se Baldoni kishte dalë i favorizuar që në momentin kur gjykata rrëzoi shumicën e pretendimeve të ngritura ndaj tij, përfshirë akuzat për ngacmim seksual, shpifje dhe komplot.
Sipas tij, marrëveshja finale shërbeu si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund një procesi të gjatë dhe emocionalisht të rënduar për aktorin dhe familjen e tij.
“Pas gjithë kësaj situate, ai më në fund mund të ndihet i çliruar,” u shpreh avokati, duke theksuar presionin publik që kishte sjellë çështja.
Përplasja ligjore lidhej me filmin It Ends with Us, ku të dy artistët ishin pjesë. Çështja pritej të shqyrtohej në gjykatë më 18 maj, por palët vendosën të mbyllnin konfliktin përmes një marrëveshjeje jashtë procesit gjyqësor.
Lively kishte paditur Baldonin në fund të vitit 2024, duke pretenduar ngacmim seksual dhe dëme financiare, ndërsa aktori reagoi me një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh për shpifje dhe zhvatje. Megjithatë, më vonë edhe kjo kundërpadi u hodh poshtë.
Në deklaratat përfundimtare, të dy palët theksuan se mbeten krenarë për projektin filmik dhe mesazhin që ai përcjell për ndërgjegjësimin ndaj dhunës në familje.
Raportohet se kostot ligjore të këtij konflikti kanë arritur deri në 60 milionë dollarë.
