
Misse Beqiri ka folur publikisht pas humbjes tragjike të ish-partnerit të saj, Jake Hall, i njohur nga reality show britanik “TOWIE”. Përmes një mesazhi të shpërndarë nga ekipi i saj, modelja shqiptare ka shprehur dhimbjen për ngjarjen dhe ka kërkuar respekt për privatësinë e familjes.
Misse dhe Jake kanë pasur një histori të gjatë së bashku dhe janë prindër të një vajze, River, e cila erdhi në jetë në vitin 2017. Edhe pse marrëdhënia e tyre ka kaluar ulje-ngritje ndër vite, ata kanë ruajtur kontaktet për shkak të vajzës së tyre.
Në reagimin e saj, Beqiri thekson se e gjithë vëmendja e saj është tani te mbështetja emocionale e së bijës dhe përballimi i kësaj humbjeje të rëndë familjare. Ajo u ka bërë thirrje mediave dhe publikut për mirëkuptim dhe respekt në këtë periudhë të vështirë.
Sipas raportimeve në mediat britanike, Jake Hall humbi jetën pas një incidenti të rëndë ku dyshohet se u përplas me një derë xhami, duke marrë dëmtime serioze në kokë. Ngjarja ndodhi pas një mbrëmjeje me miqtë, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat.
Pak para tragjedisë, Hall kishte publikuar në rrjetet sociale momente me vajzën e tij dhe disa postime me tone reflektuese, të cilat kanë prekur ndjekësit pas lajmit të ndarjes së tij nga jeta.
