Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkarkuar nga posti i ambasadores së UNESCO-s , Besiana Kadarenë, vajzën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadaresë.
Arsyet e nje vendimi te tille nuk dihen ende. Besiana Kadare më herët mbante postin si ambasadorja shqiptare në OKB, ndërkohë që prej 2021, me firmë të presidentit të asokohe Ilir Metës, ishte emëruar si ambasadore në UNESCO.
“Zonja Besiana Kadare lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident”, thuhet në dekretin e firmosur nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
E lindur në Tiranë, Besiana Kadare u diplomua në Universitetin Sorbonne Paris-IV në Paris, Francë. Ajo zotëron një diplomë Masteri në Letërsi Moderne dhe Krahasuese, të ndjekur nga një Diplomë e Studimeve të Larta të Specializuara (Diplôme d’Etudes Supérieures Spécialisées-DESS) në Letërsi Moderne të Specializuar.
Ajo e ka filluar karrierën e saj profesionale në Francë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (Grolier Interactive Europe, Lycos France dhe Lagardère Active media).
Në vitin 2002, Kadare iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Departamenti i Organizatave Ndërkombëtare dhe më vonë u emërua Sekretare e Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Në vitin 2005, ajo u bashkua me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, ku menaxhoi një projekt të madh ndërkombëtar për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e grave dhe fëmijëve.
Në vitin 2008, u emërua në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Francë, ku mbulonte kryesisht çështjet e UNESCO-s.
Nga viti 2011 deri në vitin 2016, Kadare shërbeu si Ambasadore dhe Delegate e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë), dhe nga viti 2013 deri në vitin 2015 si Zëvendëskryetare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s.
Në vitin 2016, Ambasadorja Kadare u emërua Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Kubë, jo-rezidente. Në Kombet e Bashkuara, ajo udhëhoqi punën përgatitore dhe fushatën e lobimit që rezultoi në zgjedhjen e Shqipërisë, për herë të parë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për një mandat 2-vjeçar 2022-2023.
Gjithashtu, ajo shërbeu edhe si Zëvendëspresidente e Bordit Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS për dy vjet rresht (2018-2019). P oashtu mbajti postin e Zëvendëspresidentes së sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (2020-2021).
Në nëntor 2021, ajo u emërua Ambasador dhe delegat i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në UNESCO, post të cilin e mbajti deri para dy ditësh, pasi presidenti Begaj vendosi që ta lironte nga kjo detyrë.

