
Këngëtarja italiane Laura Pausini ka humbur xhaxhain e saj, Ettore Pausini, në një aksident rrugor. Ettore Pausini, 78 vjeç, u përplas nga një makinë që më pas u largua, ndërsa ai po ecte me biçikletë në zonën pranë Bolonjës, në Italinë veriore.
78-vjeçari, një çiklist i apasionuar dhe figurë e njohur në shoqatën Onconauti, po kthehej nga një prej udhëtimeve të tij të zakonshme me biçikletë në Via degli Stradelli Guelfi, midis Castenasos dhe San Lazzaro di Savena, kur u përplas ballë për ballë nga një “Opel Astra” e vjetër me ngjyrë të çelët. Përplasja ishte fatale dhe, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës për ta ringjallur, Pausini nuk mundi të mbijetojë.
Laura Pausini ende nuk ka reaguar publikisht, por mesazhet e mbështetjes dhe ngushëllimit për këngëtaren dhe familjen e saj po shtohen me shpejtësi në rrjetet sociale.


