
Aktorja e njohur Jessica Alba dhe producenti Cash Warren kanë përmbyllur zyrtarisht divorcin, dy vite pasi vendosën të ndahen.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga mediat amerikane, ish-çifti — i martuar që nga viti 2008 — nuk do t’i paguajë njëri-tjetrit mbështetje bashkëshortore. Megjithatë, për të balancuar ndarjen e pasurisë, është rënë dakord që Warren të përfitojë 3 milionë dollarë. Shuma do të paguhet nga Alba në dy këste prej 1.5 milionë dollarësh: një menjëherë dhe tjetrën pas një viti.
Alba, 44 vjeçe, dhe Warren, 47, janë prindër të tre fëmijëve: Honor (17), Haven (14) dhe Hayes (8). Ata u ndanë fillimisht në vitin 2024, ndërsa në janar 2025 aktorja paraqiti kërkesën për divorc pas 16 vitesh martesë dhe rreth 20 vitesh së bashku.
Në një deklaratë në Instagram në atë kohë, Alba tha se ndarja erdhi pas një periudhe të gjatë reflektimi personal. “Ne do të mbetemi përgjithmonë familje. Fëmijët tanë janë prioriteti ynë kryesor,” shkroi ajo, duke kërkuar gjithashtu respektimin e privatësisë.
Çifti u njoh në vitin 2004 gjatë xhirimeve të filmit Fantastic Four në Vancouver, ku Alba interpretonte Sue Storm, ndërsa Warren punonte si asistent regjisor.
Aktualisht, Alba raportohet të jetë në një lidhje me aktorin Danny Ramirez, për të cilin u përfol për herë të parë në maj 2025 pasi u panë duke u puthur në Londër. Ndërkohë, Warren është lidhur me modelen Hana Sun Doerr, me të cilën u fotografua gjatë verës së vitit 2025 në Los Angeles.
