
Rruga drejt majave të futbollit botëror nuk ka qenë aspak e lehtë për Kylian Mbappé. Sulmuesi francez është detyruar të marrë vendime të mëdha që në fëmijëri, vendime që do të ndryshonin përgjithmonë jetën e tij.
Babai i tij, Wilfried Mbappé, foli në një emision televiziv francez për sakrificat që djali i tij ka bërë ndër vite për t’u shndërruar në një nga futbollistët më të mirë në botë. Sipas tij, suksesi me Real Madridin dhe përfaqësuesen e Francës nuk ka ardhur pa kosto.
“Dua të theksoj sakrificat,” u shpreh Wilfried Mbappé. “Po flasim për sakrifica njerëzore kur ke një djalë që ndjek futbollin. E kam parë Kylian të largohet nga shtëpia në moshën 12–13 vjeç. Askush nuk e merr parasysh këtë. Sot njerëzit shohin produktin final dhe thonë se është bërë ky apo ai, por ka shumë gjëra që kemi humbur dhe që nuk do t’i rikuperojmë kurrë.”
Ai theksoi se shumë prindër nuk mund ta imagjinojnë një situatë të tillë.
“Kush është prindi që pranon të ‘humbasë’ fëmijën në moshën 13–14 vjeç? Askush nuk thotë: djali im u largua nga shtëpia dhe nuk u kthye më. Kjo është ajo që ndodhi. Është projekti i tij dhe një histori e bukur, por kur ua shpjegoj disa prindërve, ata nuk e kuptojnë. Njerëzit nuk e kuptojnë dot — ai luante te Monaco mes kampionësh.”
Wilfried Mbappé komentoi gjithashtu për pankinën e kombëtares franceze dhe mundësinë që Zinedine Zidane ta drejtojë ekipin në të ardhmen.
“Nuk e di nëse Zidane është kandidati ideal, por do të ishte shumë i mirë. Këtë do ta kuptojmë më vonë, sepse është shumë e vështirë të ndjekësh shembullin e Deschamps. Nuk duhet të harrojmë çfarë ka arritur ai dhe çfarë historie do të lërë pas. Nëse do të jetë Zidane, të gjithë do të jemi të kënaqur.”
Ai kujtoi edhe një moment të veçantë nga fëmijëria e Kylian.
“Kur ishte i vogël, Kylian ishte shumë energjik dhe bënte shumë zhurmë. Por kur Zidane hapi derën dhe hyri brenda, ai mbeti pa fjalë. Që nga ajo ditë e pashë ndryshe. Zidane është një njeri shumë i këndshëm. Ka njerëz që i sheh në televizion dhe të zhgënjejnë kur i njeh nga afër — ai është krejt e kundërta.”
