
Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja është ndarë nga jeta ditën e sotme, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e letërsisë, mendimit kritik dhe jetës publike shqiptare.
Sipas familjarëve, përcjellja e tij për në banesën e fundit do të zhvillohet në një ceremoni private, larg vëmendjes së medias dhe publikut. Kjo ishte dëshira e shprehur qartë nga vetë Qosja, e lënë si amanet në një letër drejtuar nipit të tij, Valjetit.
Letra, e cila është publikuar edhe në rrjetet sociale, përmban udhëzime të detajuara mbi mënyrën se si ai dëshironte të organizohej varrimi i tij. Qosja kërkonte të varrosej pa rituale fetare, pa praninë e përfaqësuesve zyrtarë dhe vetëm nga familjarët e tij më të afërt.
“Dua të jem i varrosur pa ritual fetar… pa kurrfarë pranie zyrtare… vetëm nga familjarët e mi,” shkruan ai në amanetin e tij, duke theksuar gjithashtu dëshirën për një ceremoni të thjeshtë, pa fjalime, pa media dhe pa lule, pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresës.
Në letrën e tij, Qosja reflekton mbi jetën, veprën dhe bindjet e tij, duke u shprehur se jetën dhe aktivitetin e tij ia ka kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së popullit shqiptar. Ai thekson se largohet i qetë, me bindjen se ka vepruar drejt, ndonëse pranon se, si çdo njeri, nuk ka qenë i pagabueshëm.
Letra mbyllet me fjalët e tij të shkruara me vetëdije të plotë në vitin 2016, si një dëshmi e fundit e filozofisë së tij jetësore dhe e qëndrimeve që e karakterizuan gjatë gjithë jetës.
Rexhep Qosja do të kujtohet si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare.
