
Aktorja e njohur Blake Lively ka ngritur akuza të forta në një çështje ligjore, duke pretenduar se një fushatë denigruese e ka dëmtuar rëndë financiarisht dhe profesionalisht. Sipas saj, kjo situatë lidhet me Justin Baldoni dhe kompaninë e tij, Wayfarer Productions.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë më 17 prill, Lively thekson se ka pësuar humbje të konsiderueshme, të cilat përllogariten në dhjetëra miliona dollarë. Vetëm dëmi i drejtpërdrejtë financiar, sipas saj, varion nga 36.5 deri në 40.5 milionë dollarë.
Aktorja pretendon se është etiketuar në mënyrë të qëllimshme me terma si “mean girl”, “bully” dhe “tone deaf”, me synimin për të dëmtuar imazhin e saj publik. Ajo mbështetet edhe në analizën e një eksperteje të marketingut, e cila argumenton se deklaratat publike të bëra gjatë konfliktit për filmin “It Ends With Us” kanë ndikuar negativisht në perceptimin e publikut dhe, rrjedhimisht, në të ardhurat e saj.
Sipas të njëjtave burime, humbjet nga mundësitë e munguara në projekte filmike dhe televizive për periudhën 2024–2029 llogariten nga 34.3 deri në 87.8 milionë dollarë. Ndërkohë, edhe bizneset e saj, përfshirë markat Betty Booze dhe Blake Brown, thuhet se janë prekur ndjeshëm, me humbje që mund të arrijnë deri në 143.5 milionë dollarë.
Përveç dëmeve ekonomike, Lively kërkon edhe kompensim për dëme morale, duke përfshirë stresin, dhimbjen dhe poshtërimin e përjetuar.
Në total, kërkesa e saj për dëmshpërblim kap shifrën mbi 290 milionë dollarë, një rritje e ndjeshme krahasuar me pretendimin e mëparshëm prej 161 milionë dollarësh.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e Justin Baldonit i ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se reputacioni i aktores nuk është dëmtuar nga këto etiketime, pasi diskutime të ngjashme kanë ekzistuar edhe më parë në publik.
Seanca gjyqësore është planifikuar për 18 maj, ku pritet të trajtohen çështje që lidhen me shkelje kontrate, hakmarrje dhe përfshirje në veprime të tilla.
