KreuCelebrity

Dasmë pranë Shqipërisë? Dua Lipa zgjedh këtë qytet për ceremoninë me Callum Turner!

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa është vënë në qendër të spekulimeve të reja për martesë, pasi raportime nga Italia thonë se ajo mund të jetë duke planifikuar një ceremoni në qytetin bregdetar të Palermo, në Sicili.

Edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar, mediat lokale dhe rrjetet sociale kanë nxitur zërat për një event të madh privat. Sipas raportimeve, hoteli luksoz Villa Igiea, i njohur për organizimin e dasmave madhështore dhe mikpritjen e VIP-ave, mund të jetë rezervuar për kurorëzimin e dashurisë së çiftit.

Spekulimet u shtuan më tej pasi u raportua se këngëtarja me origjinë shqiptare është parë së fundmi në takim me organizatoren e njohur italiane të dasmave Alessandra Grillo, e cila ka organizuar disa ceremoni për figura të njohura.

Palermo ka një lidhje të veçantë me artisten që nga vera e vitit 2025, kur ajo vizitoi qytetin së bashku me aktorin Callum Turner. Gjatë qëndrimit, çifti eksploroi atraksionet kryesore, shijoi kuzhinën lokale dhe qëndroi pikërisht në Villa Igiea. Më pas, Dua publikoi foto nga vizita duke e përshkruar qytetin me fjalët: “Palermo në zemrën time”.

Këngëtarja ka folur gjithashtu me entuziazëm për qytetin gjatë një koncerti, duke përmendur ushqime tradicionale si cannoli, spaghetti dhe arancina, gjë që ka forcuar lidhjen e saj me këtë destinacion në sytë e fansave.

Dua Lipa dhe Callum Turner janë në një lidhje që nga viti 2024 dhe e bënë publike marrëdhënien e tyre në vitin 2025. Aktori ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes për spekulimet lidhur me rolin e ardhshëm të James Bond.

Megjithatë, as këngëtarja dhe as përfaqësuesit e saj nuk kanë konfirmuar planet për martesë. Pavarësisht kësaj, zërat vazhdojnë të shtohen dhe kanë tërhequr vëmendje të madhe në Itali, ku Palermo po përmendet gjithnjë e më shumë si destinacion i mundshëm për një dasmë të famshme.

Nëse këto raportime rezultojnë të vërteta, ngjarja pritet të sjellë vëmendje ndërkombëtare për Sicilinë dhe kryeqytetin e saj kulturor. Për momentin, gjithçka mbetet në kuadër të spekulimeve.