
Jennifer Lopez ka bërë një deklaratë që nuk kaloi pa u vënë re gjatë promovimit të filmit të saj më të ri romantik, “Office Romance”. Artistja zbuloi se bashkëprotagonisti i saj, Brett Goldstein, është partneri më i mirë që ka pasur ndonjëherë në skenat e puthjeve.
Ajo tregoi se ky projekt ishte i veçantë që në nisje, pasi roli ishte menduar enkas për të. Skenari u shkrua nga vetë Goldstein në bashkëpunim me Joe Kelly, ndërsa producentët kishin vendosur që filmi të mos realizohej pa Lopez në rolin kryesor.
Nën regjinë e Ol Parker, filmi trajton historinë e një romance që lind në vendin e punës, duke sfiduar rregullat që e ndalojnë një lidhje të tillë. Kimia mes Lopez dhe Goldstein konsiderohet si një nga elementët kyç që pritet të tërheqë publikun, ndërsa premiera është caktuar për 5 qershor në Netflix.
Deklarata e Lopez erdhi në një intervistë të fundit, ku ajo foli hapur për përvojën e saj në këtë projekt. Nga ana tjetër, edhe Goldstein ka shprehur më herët admirim për të, duke vlerësuar rolin e saj në filmin “Hustlers”.
Ndërkohë, zërat për një raport më të afërt mes tyre jashtë ekranit vazhdojnë të qarkullojnë, por asnjëri prej tyre nuk i ka komentuar. Lopez, nga ana e saj, vijon të jetë e përqendruar në projektet e reja dhe në rikthimin e saj në ekranin e madh.
