
Zayn Malik është detyruar të anulojë disa nga paraqitjet e tij publike, përfshirë edhe intervistën e planifikuar në emisionin e Jimmy Fallon, pas një problemi shëndetësor që e çoi në spital.
Sipas burimeve për People, artisti po ndjek këshillat e mjekëve dhe nuk është në gjendje të rikthehet ende në aktivitet, pasi po kalon një periudhë rikuperimi.
Këngëtari 33-vjeçar kishte planifikuar të promovonte albumin e tij të pestë, “Konnakol”, por situata e papritur shëndetësore e detyroi të tërhiqej përkohësisht nga agjenda.
Vetë Malik reagoi përmes një postimi në Instagram, ku publikoi një foto nga spitali dhe falënderoi fansat për mbështetjen e vazhdueshme. Ai u shpreh se ka qenë një periudhë e vështirë dhe se ende po merr veten, duke shtuar se i vjen keq që nuk mund të jetë pranë publikut në këtë moment.
Në mesazhin e tij, ai shprehu mirënjohje edhe për ekipin mjekësor, duke përmendur veçanërisht infermierët dhe kardiologët për kujdesin profesional.
Detajet mbi gjendjen e tij shëndetësore mbeten të paqarta, pasi artisti nuk ka dhënë më shumë informacion.
Përveç intervistës televizive, Malik kishte në plan edhe një event në New York, si dhe nisjen e një turneu në maj nga Manchester, që pritet të përmbyllet në nëntor në Miami.
Kujtojmë se gjatë turneut të tij të fundit, ai përjetoi edhe një moment të vështirë personal me humbjen e ish-anëtarit të One Direction, Liam Payne, të cilit i bëri një dedikim emocional në skenë.
