
Tensionet e “Big Brother VIP Albania” duket se nuk janë mbyllur me përfundimin e spektaklit. Pas finales, një incident i rëndë ka ndodhur mes ish-banorit Ilir Vrenozi dhe finalistit Miri, duke treguar se rivalitetet e krijuara brenda shtëpisë vijojnë edhe jashtë saj.
Në një deklaratë për “Top News”, Iliri ka treguar se përplasja mes tyre nisi menjëherë pas mbarimit të spektaklit, kur Miri iu afrua në mënyrë provokuese. Situata, sipas tij, u tensionua aq shumë sa ai mezi u përmbajt për të mos reaguar fizikisht.
Konflikti mori përmasa edhe më të mëdha gjatë një eventi të organizuar pas finales. Miri i ka kërkuar llogari Ilirit për mbështetjen që ky i fundit i dha Selinës, gjë që ndezi një debat të fortë mes tyre. Vrenozi nuk është kursyer në përgjigje, duke e akuzuar Mirin se ka ndikuar vetë në humbjen e tij për shkak të strategjisë së lojës.
Debati ka kaluar në tone të ashpra, ku sipas Ilirit nuk kanë munguar as kërcënimet serioze. Situata ka dalë jashtë kontrollit deri në atë pikë sa është dashur ndërhyrja e stafit të sigurisë për të shmangur një përplasje fizike.
Edhe pse Iliri shprehet se zakonisht është i prirur të falë, kjo ngjarje tregon se emocionet dhe konfliktet e BBVA vijojnë të jenë të forta edhe pas përfundimit të garës.
