
Një moment i rrallë dhe shumë i komentuar ka ardhur nga Rihanna, e cila është shfaqur në kopertinën e revistës prestigjioze “W” së bashku me vajzën e saj të vogël, Rocky Iris Meyers. Foshnja vetëm shtatë muajshe ka bërë kështu debutimin e saj të parë në një set fotografik të modës së lartë.
Në imazhet artistike, vogëlushja shfaqet e veshur me një krijim unik nga Dior, nën drejtimin e stilistit Jonathan Anderson, ndërsa Rihanna përcjell elegancën dhe stilin e saj të njohur. Artistja ka ndarë edhe reagimin e saj në rrjete sociale, duke e cilësuar këtë si një moment shumë të veçantë për vajzën e saj.
Rihanna dhe A$AP Rocky janë në një lidhje që prej vitit 2020 dhe kanë ndërtuar tashmë një familje me tre fëmijë. Djali i tyre i madh, RZA, pritet të festojë së shpejti ditëlindjen.
Në të njëjtin edicion të revistës, A$AP Rocky ka folur për partneren e tij, duke e përshkruar si një grua me karakter të fortë dhe energji unike, duke shtuar se roli i saj si nënë nuk e ka ndryshuar thelbin e personalitetit të saj.
Përveç setit fotografik, “W” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë edhe ndikimit të Rihannës në industrinë e muzikës dhe kulturës pop, me vlerësime nga figura të njohura si Mariah Carey, Pharrell Williams dhe Jonah Hill.
