KreuCelebrity

U arrestua pas konfliktit me Noizyn, del nga burgu Cllevio

U arrestua pas konfliktit me Noizyn, del nga burgu Cllevio

Pas disa muajsh në vuajtje dënimi, reperi Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio”, është rikthyer sot në liri nga burgu i Fierit. Ai kishte përfunduar në qeli që prej tetorit 2025, pas ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë.

39-vjeçari u dënua për përndjekje dhe për shkelje të masave të sigurisë, akuza që burojnë nga konflikti i tij i gjatë me reperin Rigels Rajku. Marrëdhënia mes dy artistëve ka qenë e tensionuar për vite me radhë, duke u shoqëruar me përplasje të vazhdueshme si në jetën reale, ashtu edhe në rrjetet sociale.

Në dosjet hetimore të publikuara më herët përmenden edhe episode më të rënda. Dyshohet se, pas një përplasjeje fizike, Ahmeti i ka kërkuar një personi të afërt, Laert Haxhiu, të vendoste lëndë shpërthyese në një biznes në pronësi të Noizyt në Durrës. Ngjarja në fjalë shkaktoi dëme materiale dhe u bë një nga rastet më të komentuar në media në atë periudhë.

Së fundmi, ky episod është përfshirë edhe në hetimet e SPAK, që po shqyrton një çështje më të gjerë që lidhet me një grup të strukturuar kriminal. Burime nga hetimi bëjnë me dije se janë kërkuar masa të ashpra ndaj personave të përfshirë.

Megjithëse Ahmeti ka përfunduar dënimin dhe është liruar, çështja mbetet ende e hapur në aspektin hetimor dhe vazhdon të jetë një nga konfliktet më të përfolura në skenën shqiptare të muzikës.