
Një tjetër sukses i madh për peshëngritjen shqiptare vjen nga Enkileda Carja, e cila ka lënë gjurmë në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Batumi, Gjeorgji. Sportistja 18-vjeçare nga Elbasani ka arritur të vendosë dy rekorde të reja për të rinj, duke konfirmuar formën e saj të jashtëzakonshme.
Carja spikati fillimisht në stilin e shkëputjes, ku ngriti 103 kilogramë, rezultat që i dha asaj një rekord të ri evropian në këtë disiplinë. Performanca e saj vijoi në të njëjtin nivel edhe në shtytje, ku realizoi 123 kilogramë.
Me një total prej 226 kilogramësh në dygarësh, ajo arriti të thyejë edhe rekordin e dytë evropian për të rinj, duke firmosur një paraqitje historike për ngjyrat kuqezi.
Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka vlerësuar këtë sukses si një arritje të jashtëzakonshme, duke theksuar se rezultatet e Carjas dëshmojnë për nivelin në rritje të këtij sporti në Shqipëri.
Si shpërblim për paraqitjen e saj, 18-vjeçarja është nderuar edhe me çmimin “Ylli në Ngritje i Europës 2025” nga Federata Evropiane e Peshëngritjes, një vlerësim që nënvizon potencialin e saj për të ardhmen.
