Copëza kujtimesh nga fëmijëria, bota e bletarisë, e mbi të gjitha talenti, bëhen bashkë dhe frymëzojnë stilisten nga Kosova, Bardhë Suhogerlla për të krijuar një koleksion ambicioz, i cili ka marrë vlerësime të shumta. Me rrënjën nga fshati, ajo zbërthen një dimension të pazakontë dhe poetik të modës, me koleksionin “Honey Threads”. Bardhë përdor elemente si zgjoi i bletës, kombinimet e ngjyrave, më së shumti e verdha dhe e zeza, format dhe strukturat, përzier me motivet e thurjeve, jo thjesht duke dizajnuar, por duke reflektuar ndjesi të rralla artistike përmes krijimeve të saj.



Qysh e vogël, vajza nga Skenderaj u fokusua të dizajni dhe moda, duke ndjekur fillimisht shkollën e mesme për Dizajn Tekstil dhe Veshje, ku mori bazat e para drejt rrugës si profesioniste, e më pas ndoqi studimet e larta në Akademinë Evolutive në Prishtinë, ku u diplomua si dizajnere, e specializuar për Dizajn e Modë. Por, duket se talenti i saj spikati menjëherë, sepse kur ishte ende një adoleshente nisi të punojë për disa nga shtëpitë e modës në Kosovë. “Që nga mosha 17 vjeçe kam fituar përvojë, duke punuar në shtëpitë më të mëdha të modës në Kosovë. Gjithmonë kam punuar me pasion dhe dashuri, qoftë në studio profesionale, qoftë edhe nga shtëpia”, tregon ajo për revistën “Bordo”. Gjithë mundi dhe dedikimi disavjeçar, iu shpërblye, kur modelja me famë botërore Bella Hadid e vlerësoi punën e saj për një teksturë në kuadrin e artit të fibrave. “Kjo përvojë ndezi një shkëndijë dhe një shpresë të madhe për mua, duke më treguar sa e vlefshme është puna ime. E konsideroj ende si një nga arritjet më të mëdha në karrierën time”, pohon Bardhë Suhogerlla.


Pas diplomimit, fokusi i saj ka qenë dukshëm në krijimin e koleksioneve autentike që përcjellin botën e saj. Pikërisht, koleksioni i diplomës që mban emrin “Honey Threads - Metamorfoza Hyjnore” ishte një projekt jo vetëm shumë personal, por edhe me shumë rëndësi krijuese, pasi është frymëzuar nga trashëgimia familjare e bletarisë. E rritur në një familje bletarësh, edhe procesi i saj krijues ka marrë frymëzimin nga kjo fushë. “Koleksioni përfaqëson një rrëfim vizual poetik dhe emocional, që eksploron se si çdo ëndërr surreale dhe emocionin që mund të shndërrohen në art. Burimi kryesor i inspirimit tim është natyra, por frymëzimin e gjej edhe nga ngjarje, historia, letërsia dhe emocionet që përjetoj, qoftë vibrime të larta qoftë të ulëta”, shpjegon stilistja kosovare Bardhë Suhogerlla. E lidhur me të atin, pasioni i të cilit është bletaria, stilistja sjell në krijimet e saj copëza nga bota e ëmbël e fëmijërisë së saj, të cilat ndërthuren në ekuilibër me natyrën. Siç shpjegon Bardhë, ky koleksion synon të krijojë një sintezë të paprecedentë, me frymëzim nga bletët dhe procesi i polinimit, i përkthyer në forma të ngulitura që shprehin pasionin e natyrës dhe ndërlidhjen me botën organike. “Ashtu si bleta prodhon mjaltin nga bimë të ndryshme, edhe unë përdor fibra të ndryshme për të krijuar veshje që reflektojnë diversitetin e natyrës dhe pasionin për detajet fine”, thekson ajo.

Së fundmi, Bardhë sapo ka nënshkruar një kontratë si sub-brand me “Bavenays”, një markë mode e themeluar në vitin 2019. “Bavenays” ka tani në ekipin krijues Bardhën, stilisten e cila nën ombrellën e “Bavenays”, ka sjellë firmën e saj krijuese përmes “BardhëXhSuhogerlla”. “Bavenays” është markë e njohur, e cila punon edhe me emra të njohur mes të cilëve stilistë si: Zuhair Murad, Tony Ward, Georges Hobeika apo Elie Saab. “Jemi të kënaqur që "BardhëXhSuhogerlla” do të vazhdojë udhëtimin e saj nën platformën “Bavenays”, si një nga nënmarkat tona zyrtare. Ky bashkëpunim pasqyron angazhimin tonë për të mbështetur dizajnerët e rinj përmes partneriteteve afatgjata dhe të strukturuara”, thuhet në faqen zyrtare të “Bavenays”, duke e mirëpritur stilisten kosovare në një udhëtim të ri të karrierës së saj.
-
5 kombinime veshjesh të duhura për këtë vjeshtë!
8 Tetor, 14:07 -


