Nga Klesara Beqiri
Largimi i Jonida Maliqi nga Ferma VIP habiti dhe mërziti të gjithë fansat e këngëtares, duke lënë pas jo vetëm emocione të forta, por dhe kujtime.
Edhe pse vendosi të largohej nga gara, Jonida nuk hoqi dorë nga ajo që di të bëjë më mirë: të spikasë me stil.
Gjatë qëndrimit të saj në fermë, ajo dhuroi një “fashion show” të vërtetë, duke sjellë disa nga veshjet më të bukura dhe më të komentuarat e këtij edicioni. Nga eleganca klasike e së zezës, te nuancat lejla plot finesë, apo fustanet me motive lulesh romantike, çdo paraqitje e saj ishte plot stil dhe e përshtatur plotësisht me tematikën e vendit.
Aksesorët e zgjedhur me kujdes, shpesh të guximshëm dhe që “bërtisnin” i dhanë çdo look-u një identitet unik, duke e kthyer Jonidën në një nga ikonat e modës brenda fermës.
Veshjet e saj nuk binin në sy vetëm gjatë mbrëmjeve të Prime-it, ku kurimi i imazhit ishte në fokus, por edhe në përditshmërinë e saj brenda fermës. Rehatia ishte gjithmonë në plan të parë, por pa munguar asnjëherë prekja karakteristike “Jonida”: hoodie të kombinuara me xhaketa, pantallona lëkure apo kostume njëngjyrëshe, të shoqëruara me buzët e saj ikonike të kuqe. BORDO ka përzgjedhur disa nga veshjet më të veçanta dhe të bukura të këngëtares.



Jonida u kthye në një frymëzim për çdo vajzë, jo vetëm për stilin glamur, por edhe për mënyrën si solli një anë më casual, të cilën publiku rrallë e kishte parë më parë. Çdo ditë e saj në fermë ishte, pa dyshim, një pasarelë më vete.








Përtej paraqitjes së jashtme, këngëtarja u dallua edhe për qetësinë dhe ekuilibrin e saj. Pavarësisht disa momenteve tensioni gjatë rrugëtimit, ajo arriti të ruajë vetëpërmbajtjen dhe të tregojë pjekuri në situata të vështira. Sjellja e saj e matur dhe mënyra si menaxhoi emocionet e bëjnë atë një figurë të respektuar, jo vetëm si artiste, por edhe si personazh publik.
Jonida Maliqi la pas një eksperiencë që do të mbahet mend gjatë, duke treguar se stili, forca e karakterit dhe eleganca mund të ecin gjithmonë bashkë. Largimi i saj mund të ketë mbyllur një kapitull në Ferma VIP, por padyshim ka forcuar edhe më shumë imazhin e saj si një grua e fortë, inspiruese dhe plot klas.
