
Vala e anulimeve ndaj Kanye West në Evropë vazhdon. Pas vendimeve të ngjashme në Francë, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar, edhe Italia ka hequr nga kalendari një prej performancave të planifikuara të reperit amerikan.
Artisti pritej të ngjitej në skenë gjatë muajit korrik në Reggio Emilia, por eventi u anulua pas kundërshtimeve të ngritura nga përfaqësues të komunitetit hebre në zonë. Ata kërkuan që aktiviteti të mos zhvillohej dhe që në vend të tij të promovohej një nismë që nxit bashkëjetesën dhe dialogun përmes muzikës.
Autoritetet lokale konfirmuan se vendimi u mor pas vlerësimit të situatës së sigurisë dhe klimës së krijuar rreth figurës së reperit, duke marrë parasysh edhe anulimet e mëparshme të koncerteve të tij në vende të tjera evropiane.
Pavarësisht kërkesave publike për falje që Kanye West ka bërë në muajt e fundit lidhur me deklaratat e tij ndaj komunitetit hebre, polemikat vazhdojnë të ndikojnë në aktivitetin e tij artistik.
Turneu që synon promovimin e albumit të ri “Bully” është përballur me vështirësi të shumta. Disa nga koncertet e planifikuara në vende të ndryshme të Evropës janë anuluar ose shtyrë, përfshirë paraqitjet në Londër, Zvicër, Poloni dhe Francë.
Në Britaninë e Madhe, autoritetet refuzuan hyrjen e reperit në territorin e vendit, duke bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në Wireless Festival. Vendimi mori mbështetjen e qeverisë britanike, e cila ka deklaruar se mbetet e vendosur në luftën kundër antisemitizmit.
Edhe Zvicra vendosi të tërhiqet nga organizimi i koncertit të tij, ndërsa në Poloni autoritetet e kulturës kundërshtuan hapur mbajtjen e performancës, duke e konsideruar të papërshtatshme për shkak të deklaratave të mëparshme të artistit.
Ndërkohë, Franca ka shtyrë pa një datë të re koncertin e planifikuar në Marseille.
Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Holanda ka zgjedhur të mos ndërhyjë. Autoritetet holandeze deklaruan se nuk ekziston një bazë ligjore për ta ndaluar Kanye West-in të hyjë në vend, ndaj koncertet e planifikuara në Arnhem pritet të zhvillohen sipas axhendës së parashikuar.
