Pas suksesit në Shqipëri ku libri “Shijet Tona” u përqafua nga publiku me një interes të madh për rikthimin e pjatave tradicionale shqiptare nga jugu në veri, tashmë ky botim po vijon rrugëtimin e tij përtej kufijve.
Për të gjithë shqiptarët banues në kryeqytetin grek dhe jo vetëm, një event i veçantë ju pret, për të prekur dhe njohur nga afër 99 recetat e gastronomisë shqiptare, por edhe për t’u takuar me autoren dhe gazetaren e mirënjohur Ilda Lumani.
Aktiviteti do të zhvillohet më datë 5 qershor në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë siç është njoftuar edhe në rrjetet sociale, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar atje.
View this post on Instagram
Prezantimi i librit synon të sjellë më pranë diasporës shqiptare vlerat e trashëgimisë sonë kulinare dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre ndër breza.
“Shijet Tona” përmbledh 99 receta autentike shqiptare, duke pasqyruar pasurinë dhe traditat e kuzhinës shqiptare, e cila përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor kombëtar.

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen nga afër me autoren Ilda Lumani, si dhe të ndajnë diskutime mbi rolin e gastronomisë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe lidhjes me rrënjët shqiptare.
Ju ftojmë të shijoni një pasdite ndryshe!
