
Pak ditë para nisjes së grumbullimit të Kombëtares shqiptare për ndeshjet miqësore të muajit qershor, Elseid Hysaj është bërë protagonist i një episodi në qendër të Tiranës.
Mbrojtësi kuqezi është parë duke lëvizur në kryeqytet në shoqërinë e Taulant Seferit, kur automjeti me të cilin udhëtonin është ndaluar nga efektivët e Policisë Rrugore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas informacioneve, në timon ndodhej vetë Hysaj, i cili është penalizuar me gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit. Futbollisti është ndëshkuar për ndotje akustike si dhe për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në një zonë të banuar.
Ngjarja vjen në një moment kur lojtarët e Kombëtares kanë nisur të mbërrijnë në Shqipëri për grumbullimin e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore gjatë javës së ardhshme, fillimisht ndaj Izraelit më 3 qershor dhe më pas përballë Luksemburgut më 6 qershor.
