Në vitet ’60 e ’70, kur në ekran nuk kishte “show girl”-a apo prezantuese spektaklesh, figurat më të njohura dhe më të dashura për publikun ishin spikeret. Ato ishin ikonat e televizionit shqiptar. Një ndër emrat më të spikatur ishte Mimoza Tafaj, e njohur për zërin e saj melodioz, buzëqeshjen natyrale dhe shqiptimin korrekt.
Në vitin 1974, në moshën vetëm 17-vjeçare, ajo bëri daljen e saj të parë televizive, duke nisur një karrierë që do të zgjaste katër dekada. Nga marsi i ’74-s deri në vitin 1999 Mimoza Tafaj ishte një nga fytyrat më të dashura të ekranit, ndërsa deri në vitin 2014 vijoi punën edhe pas kuintave, si montazhiere.
Sot, në moshën 68-vjeçare, ajo jeton mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në Portland të Oregon-it, pranë vajzës dhe nipërve e mbesave. Edhe pse e ka ndërtuar jetën larg ekranit dhe vendlindjes, Mimoza pranon se Tirana dhe televizionin i kujton gjithmonë me nostalgji, duke ruajtur mallin për miqtë dhe vitet e arta të karrierës së saj.
Ajo na befasoi të gjithëve me mënyrën se si duket – plot energji, në formë dhe me një prani që rrezaton forcë e freski. Mimoza jo vetëm që mbart mbi supe përvojën e viteve, por edhe dëshmon se vitaliteti dhe bukuria nuk njohin moshë.



