Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndryshe nga herët e kaluara, ku ka respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime pranë PD bëjnë me dije se mungesa e Berishës lidhet me një gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të një viroze, çka e ka bërë të pamundur për të të paraqitet fizikisht në SPAK. Ai pritej të paraqitej këtë të hënë në lidhje me hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Ndërkohë, më 30 qershor 2025 është caktuar seanca e parë gjyqësore për këtë dosje, e cila do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme. Në bankën e të pandehurve do të ulen pesë persona: ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, si dhe Andia Pustina e Xhimi Begeja.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa SPAK pretendon se në kohën kur ushtronte funksionin e Kryeministrit, ka përdorur pushtetin për të favorizuar dhëndrin e tij në procesin e privatizimit të ish-klubit “Partizani”.



















