Në një intervistë të re për BBC News, këngëtarja me origjinë kolumbiane Shakira ka treguar se jeton me “frikë të përhershme” si emigrante në Shtetet e Bashkuara.
“Kam qenë vetëm 19 vjeç kur u shpërngula në SHBA, si shumë emigrantë të tjerë kolumbianë që vijnë këtu në kërkim të një të ardhmeje më të mirë,” shpjegoi ajo. Por kur u pyet si është të jesh emigrant në SHBA sot, Shakira u përgjigj:
“Do të thotë të jetosh në frikë të vazhdueshme. Dhe kjo është e dhimbshme për t’u parë.”
Artistja 48-vjeçare i bëri thirrje njerëzve të ngrihen për të drejtat e tyre dhe të qëndrojnë të fortë përballë vështirësive.
“Tani, më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar,” theksoi ajo.“Tani, më shumë se kurrë, duhet të ngremë zërin dhe ta bëjmë shumë të qartë se një vend mund të ndryshojë politikat e emigracionit, por trajtimi ndaj njerëzve duhet të jetë gjithmonë njerëzor.”
Shakira aktualisht është në turin e saj “Las Mujeres Ya No Lloran”, duke performuar në arenat më të mëdha të Amerikës së Veriut dhe Jugut.
Një nga momentet më emocionuese të koncertit është kënga “Acróstico”, një baladë e ndjerë kushtuar dy djemve të saj, Milan (12) dhe Sasha (10), të cilët shfaqen në ekran gjatë performancës dhe këndojnë në duet me nënën e tyre.
“Ata janë gjithçka për mua. Janë motorri im, arsyeja pse jetoj,”u shpreh Shakira. “Prania e tyre çdo natë në skenë është një moment vërtet i çmuar.”



















