Në një incident të ndodhur të enjten mbrëma në Soho House Malibu, Kaliforni, Justin Bieber u kap duke pasur një debat prej 11 minutash me paparacët, ku nuk munguan fjalët e ashpra dhe reagimet e forta të këngëtarit.
“Jo sot, bro,” i tha Bieber fotografëve që qëndronin pranë tij, duke mbuluar fytyrën me krahun, për të vazhduar më pas me zë të lartë: “Si mendoni që ndihem kur ju më afroheni në fytyrë? Largohuni nga fytyra ime!”
Truproja i Bieber urdhëroi fotografët të largoheshin nga makina e artistit, por ata vazhduan ta filmonin derisa ai shpërtheu sërish: “Më lini rehat, stop pyetjeve!”
Bieber, 31 vjeç, theksoi se nuk ka frikë të vendosë kufij dhe u kujtoi paparacëve se po qëndronin në pronë private. Ai u shpreh se është “burrë i vërtetë me familje të vërtetë,” duke iu referuar djalit të tij 9-muajsh, Jack Blues, dhe bashkëshortes Hailey Bieber.
“Jam një baba, dhe ju jeni përpara makinës sime në pronë private,” tha ai, duke shtuar se nuk pranon që paparacët t’i provokojnë apo të marrin video që do të interpretohen keq më pas.
Kur njëri prej tyre i uroi Ditën e Babait, Justin iu përgjigj me zemërim: “Nuk të njoh. Nuk shkon tek njerëz që nuk i njeh dhe u thua gjëra nga hiçi me një kamerë në fytyrë.”
Pas disa minutash tensioni, Justin kërkoi që të linin mbrëmjen e tij në paqe, duke thënë: “E dua gruan time, familjen time. Mos më provokoni, është e trishtë.”
Fansat janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e Justin në muajt e fundit, pasi ai ka shfaqur sjellje të çrregullta dhe ka hapur debate rreth marrëdhënies me bashkëshorten Hailey.



















