Duket se Eminem ka gjetur dashurinë pranë Katrina Malotës, grimeres dhe stilistes me origjinë shqiptare që prej vitesh bashkëpunon me të. Sipas burimeve për TMZ, marrëdhënia mes reperit 52-vjeçar dhe bashkëpunëtores së tij është shndërruar në një romancë, ndonëse nuk dihet saktësisht se kur ka nisur.
Katrina Malota, e cila jeton në Michigan, ka punuar për një kohë të gjatë me Eminem në videoklipe muzikore dhe projekte të tjera profesionale. Në faqen e saj zyrtare, ajo rendit mes klientëve edhe emra të njohur si Snoop Dogg, Robin Thicke dhe 50 Cent. Kur nuk shoqëron reperin në udhëtime pune, Katrina punon në një sallon bukurie luksoz në Birmingham, Michigan, ku njihet për stilin e saj modern dhe përkushtimin ndaj detajit.
Eminem, i njohur për jetën e tij private tepër të rezervuar, është martuar dy herë me Kim Scott, dashurinë e tij të rinisë. Nga kjo marrëdhënie, ai ka vajzën e njohur Hailie Jade, lindur në vitin 1995. Çifti u martua në 1999, u divorcua dy vjet më vonë, dhe megjithëse u ribashkuan për pak kohë në 2006, martesa nuk zgjati.
Përveç Hailie-s, reperi është baba edhe i Alaina Marie Mathers, 32 vjeç, të cilën e adoptoi nga motra e Kim Scott për shkak të problemeve të saj me varësinë, si dhe i Stevie Mathers, 23 vjeç, fëmija i Kim nga një marrëdhënie tjetër, të cilin ai e adoptoi në vitin 2005.
Në një intervistë për Rolling Stone në vitin 2004, Eminem shprehej:
“Kam kujdestarinë e plotë të mbesës sime. Ajo ka qenë pjesë e jetës sime që kur lindi. Unë dhe Kim e kishim gjithmonë me vete, kudo që jetonim.”
Ndërsa në një tjetër intervistë për Vulture në vitin 2017, reperi rrëfeu me sinqeritet vështirësitë e tij për të gjetur dashurinë pas divorcit:
“Që prej ndarjes, kam dalë disa herë në takime, por asgjë nuk ka përparuar deri në atë pikë sa të dua ta bëj publike.”
Tani, me lidhjen e re me Katrina Malotën, duket se Eminem ka hapur një kapitull të ri në jetën e tij personale, ndoshta më të qetë dhe më të ekuilibruar se më parë.


