
Kur takon Elonën, ajo të lë përshtypjen e një gruaje të butë, elegante dhe me një thjeshtësi natyrale. Por, gjithmonë ka një por…! Ajo është e vetmja mjeke, e cila ka arritur të përfaqësojë më mirë se askush tjetër bluzat e bardha: ka ngritur zërin duke mbrojtur figurën dhe misionin e tyre, i cili më mirë se asnjëherë tjetër, mori dimensionet reale gjatë pandemisë Covid-19. Elona Meta prej vitesh zhvillon një karrierë suksesi në Gjermani, por Shqipëria, siç shprehet ajo, është gjithmonë vendi ku kthehet me dashuri. Mjekja flet për revistën “Bordo” rreth profesionit të saj, parimeve që e udhëheqin në jetë, familjes, pasioneve dhe projekteve të ardhshme.
Si ishin për ju këto pushime verore? Ku i kaluat?
Këto pushime verore ishin një frymëmarrje e domosdoshme. Pjesën më të madhe e kalova me familjen time, duke shijuar qetësinë dhe ato momente të vogla e të çmuara që gjatë vitit shpesh janë të pamundura. Pushimet i kalova në Shqipëri dhe Itali – dy vende që i dua shumë: Shqipërinë për lidhjen shpirtërore dhe natyrën e saj të mrekullueshme, dhe Italinë për artin, kulturën dhe atmosferën e veçantë që të jep gjithmonë.
A keni një vend të preferuar ku ktheheni gjithmonë për të pushuar?
Shqipëria është gjithmonë vendi ku kthehem me dashuri. Deti dhe malet kanë një magji të veçantë, dhe aty gjithmonë gjej energjinë që më mungon.
Gjatë pandemisë ju u kthyet në një zë publik të fortë, duke folur jo vetëm për Covid-19, por edhe për vetë mjekët. Pse pikërisht në atë moment?
Sepse ishte koha kur mjekët po përballeshin me një realitet shumë të vështirë, shpesh pa mbrojtjen dhe respektin që meritonin. E ndjeva si detyrë morale të ngrija zërin, jo vetëm për pacientët, por edhe për kolegët e mi.


Duket ironike, por gjatë pandemisë puna e mjekut u duk sikur mori më shumë vlerë. Pse mendoni ndodhi kjo?
Sepse pandemia tregoi se shëndeti është baza e gjithçkaje tjetër. Njerëzit kuptuan se pas çdo manteli të bardhë qëndron një njeri që sakrifikon kaq shumë për të shpëtuar jetë.
Si ka qenë periudha e pandemisë për ju personalisht? Cilat ishin sfidat më të mëdha?
Ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime profesionale dhe personale. Frika për pacientët, mungesa e burimeve dhe mbi të gjitha përgjegjësia e rëndë përballë një situate të panjohur. Në të njëjtën kohë, ishte një shkollë e fortë durimi dhe humanizmi.
Ju keni ndërtuar një karrierë të suksesshme në Gjermani, por keni punuar edhe në Shqipëri. A shkëlqejnë mjekët shqiptarë vetëm jashtë vendit, apo ky potencial gjendet edhe në spitalet tona?
Mjekët shqiptarë janë të aftë kudo. Problemi nuk qëndron te profesionalizmi i tyre, por te mundësitë dhe kushtet që u ofrohen. Suksesi i tyre jashtë është rezultat i përkushtimit, por edhe i një sistemi që i mbështet më shumë.
A ndryshoi perceptimi juaj për mjekësinë kur shkove në Gjermani?
Po, sigurisht. Atje pashë se sa shumë rëndësi i jepet organizimit, punës në grup dhe teknologjisë. Kuptova që mjekësia nuk është vetëm dije individuale, por edhe bashkëpunim sistematik.
Përveç profesionit, jeni angazhuar edhe me IAM. Cilat janë ambiciet tuaja në këtë drejtim?
IAM është një platformë ku mjekët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, mund të bashkëpunojnë. Ambicia ime është të krijoj ura komunikimi dhe projekte konkrete që ndihmojnë si pacientët, ashtu edhe vetë mjekët.

Mjeke, bashkëshorte dhe nënë – si ia dilni të balanconi të treja rolet?
Është një ekuilibër i vështirë, por i mundur kur ke mbështetjen e familjes. Mundohem të jem plotësisht e pranishme kudo ku jam – në punë për pacientët, në shtëpi për familjen. Nuk është perfekte, por është e vërtetë.
A ju ndodh të bëni edhe mjeken në shtëpi?
Po, shpesh. Nga këshillat më të thjeshta, deri te momentet kur dikush nuk ndihet mirë. Por përpiqem që të mos e kthej shtëpinë në spital (qesh).
Ju keni një vajzë. Çfarë përpiqeni t’i ushqeni asaj në mënyrë të vazhdueshme për të ardhmen?
Mbi të gjitha, vlerën e punës, ndershmërisë dhe respektit për të tjerët. Dua të rritet duke ditur se pasioni dhe përkushtimi të hapin dyert në jetë.
Si një mjeke shqiptare në Gjermani, çfarë sjellin rrënjët tuaja në jetën profesionale dhe kulturore?
Shqiptarët kanë një ndjenjë të fortë humanizmi dhe solidariteti, të cilën e kam mbajtur gjithmonë me vete. E kombinuar me disiplinën dhe sistemin gjerman, krijon një ekuilibër shumë të shëndetshëm.
Për çfarë janë më shumë kuriozë kolegët apo miqtë tuaj kur dëgjojnë që jeni nga Shqipëria?
Janë gjithmonë të mahnitur nga historia dhe kultura jonë. Shumë pyesin për natyrën, ushqimin dhe stilin e jetës. Dhe gjithmonë mbeten të impresionuar.
A vazhdoni të ruani lidhjet me vendlindjen? Sa shpesh ktheheni dhe çfarë ju mungon më shumë?
Po, i ruaj ato lidhje me shumë dashuri. Më mungon atmosfera e ngrohtë, mikpritja dhe ajo lidhja e thellë, që e ke vetëm me vendin ku je lindur.
Ku e shihni të ardhmen tuaj në mjekësi? A keni menduar të sillni përvojën tuaj në Shqipëri?
E ardhmja ime do të jetë gjithmonë e lidhur me mjekësinë dhe me pacientët. Sigurisht, dua të ndaj përvojën time me Shqipërinë – qoftë përmes projekteve konkrete, qoftë përmes shkëmbimeve profesionale.
Kush ose çfarë ju frymëzon më shumë në profesionin tuaj?
Pacientët e mi. Çdo herë që shoh dikë të rifitojë shëndetin, shpresën – aty gjej frymëzimin më të madh.
Hipokrati thoshte: “Virtyti më i madh i mjekut është empatia”. Për ju, cila është vlera më e madhe e një mjeku?
Empatia është thelbësore, por do të shtoja edhe përkushtimin. Një mjek që nuk dorëzohet kurrë përballë vështirësive, është ai që bën ndryshimin më të madh.
