
Ylli i muzikës, Céline Dion, ka njoftuar rikthimin e saj në skenë katër vjet pas diagnostikimit me Sindromën e Personit të Ngurtë (SPS). Artistja ikonike, e njohur për baladat si My Heart Will Go On dhe Because You Loved Me, do të zhvillojë një seri koncertesh 10-ditore në Paris La Défense Arena, që ka kapacitet prej 40,000 vendesh, gjatë muajve shtator dhe tetor.
Njoftimi erdhi në ditëlindjen e saj të 58-të, ku Dion e quajti rikthimin “dhuratën më të bukur të jetës sime”. Në një mesazh për fansat, ajo tha: “Ndjehem mirë, jam e fortë, jam e entuziazmuar dhe, natyrisht, pak nervoze.”
Pas një mungese të gjatë nga skena live, që filloi me koncertin e saj në Newark më 8 mars 2020 dhe u ndërpre nga pandemia, Dion ishte e detyruar të anulonte shfaqjet e ardhshme për arsye shëndetësore. Biletat për rikthimin e saj në Paris do të jenë në shitje nga 7 prilli, ndërsa fansat mund të regjistrojnë interesimin që nga 31 marsi në faqen zyrtare të artistes.
Rikthimi i Dion është gjithashtu një triumf mbi sfidat që solli SPS, një sëmundje neurologjike që shkakton spazma muskulore dhe vështirësi në lëvizje, e cila prek rreth 8,000 persona në mbarë botën. Dion bëri publike diagnostikimin e saj në dhjetor 2022 dhe më pas punoi intensivisht me një ekip mjekësor për të ruajtur shëndetin e saj fizik dhe vokal.
Në vitin 2024, Dion dha një performancë emocionuese në Lojërat Olimpike të Parisit, duke kënduar Hymne à l’Amour nga Edith Piaf pranë Kullës së Eifelit, duke shënuar fillimin e rikthimit të saj publik. Artistja ka zgjedhur të përballet me sfidën me përkushtim dhe pasion: “Kam dy zgjedhje — të ndaloj ose të punoj me trupin dhe shpirtin tim. Kam zgjedhur të punoj.”
Fansat e Dion tashmë kanë parë mesazhe dhe posterë në Paris, ndërsa Kulla Eifel u ndriçua me fjalët: “Paris, je suis prêt” (Paris, jam gati), duke paralajmëruar rikthimin spektakolar të yllit botëror.
