
Bella Hadid është shfaqur për herë të parë në publik, vetëm disa ditë pasi u trajtua në spital për shkak të sëmundjes Lyme, nga e cila vuan prej vitesh.
Të mërkurën, më 24 shtator, Hadid u fotografua në rrugët e Parisit, e veshur me një pallto kafe dhe syze të zeza. E njëjta ditë kur u pa në Paris, Bella ndau me ndjekësit e saj në Instagram se ishte rikthyer për herë të parë në palestër pas një kohe të gjatë.
“Vetëm duke ecur, por gjithsesi!” – shkroi modelja mbi një foto. Nëna e saj, Yolanda Hadid, e ripostoi imazhin, duke shkruar: “Bravo Bella….”
Vetëm një javë më parë, më 18 shtator, Yolanda kishte ndarë me ndjekësit detaje për trajtimin intensiv që vajza e saj po kalonte për shkak të Lyme disease.
“Ta shohësh Bellën duke luftuar në heshtje, është dhimbja më e madhe që kam ndjerë ndonjëherë,”– shkroi ajo në Instagram. “Kjo sëmundje e padukshme neurologjike është shumë e vështirë për t’u kuptuar apo shpjeguar.”
Vetë Yolanda është diagnostikuar me Lyme disease në vitin 2012 dhe ka treguar se përpiqet të jetë shembull për vajzën e saj. Megjithatë, thotë se dhimbja e saj nuk krahasohet me atë që përjeton Bella.
Ajo e quajti Bellën “të pamposhtur”, duke theksuar forcën e vajzës së saj për të vazhduar të luftojë për shëndetin, pavarësisht trajtimeve të dështuara dhe pengesave të shumta që ka hasur.
Në rrëfimin e saj prekës, Yolanda tregoi se Bella ka kaluar muaj të tërë në errësirë, dhimbje dhe një “ferr të panjohur” që prej diagnostikimit në vitin 2013. Ajo përfundoi mesazhin duke i thënë: “Jam krenare për luftëtaren që je. Nuk je vetëm. Do jem gjithmonë pranë teje, pavarësisht se sa do të zgjasë kjo rrugë drejt shërimit.”
